Dardanët U17 ndeshen me Italinë, optimizëm për rezultat pozitiv
BKT
Sport

Dardanët U17 ndeshen me Italinë, optimizëm për rezultat pozitiv

Kombëtarja e Kosovës U17 e ka mbajtur seancën e radhës stërvitore para ndeshjes së dytë të rrethit elitë me Italinë, e vlefshme kualifikimet e Kampionatit evropian 2022 që mbahet në Izrael prej 16 majit deri më 1 qershor.

Përzgjedhësi Arsim Abazi ka thënë se Kosova tregoi një karakter të fortë ndaj Ukrainës.

"Ndonëse ne e humbëm ndeshjen e parë, kemi treguar një karakter të fortë ndaj Ukrainës dhe kemi parë që kemi kapacitet dhe mund të përballemi edhe me ekipe tjera. Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Italinë dhe besoj që kemi gjasa të nxjerrim rezultat pozitiv. Kemi dy lojtarë me lëndime, por kemi gjetur zëvendësimet e duhura që na japin shpresë për rezultat pozitiv për të shkuar drejt qëllimit".

Erion Kajtazi, futbollist, është shprehur se Italia është tjetër nivel i kundërshtarit.
"E dimë mirë që do të jetë një ndeshje e fortë, ngase Italia është tjetër nivel i kundërshtarit, por ne nuk hyjmë për t’u dorëzuar dhe do të luftojmë deri në fund. Besoj që e kemi ekipin e mirë dhe po ashtu ende kemi shpresa për kualifikim".

Ballafaqimi me Italinë do të zhvillohet më 23 prill në orën 15.00, ndërsa në ndeshjen e fundit më 26 prill Dardanët takohen me Poloninë.

U. Krasniqi