I skadon kontrata në fundin e sezonit, Rangnick zbulon të ardhmen e Pogbas
Kanë mbetur pak më shumë se dy muaj deri te data 30 qershor, afati i fundit për kontratat e futbollit të këtij sezoni dhe trajneri aktual i Manchester Unitedit, Ralf Rangnik ka zbuluar të ardhmen e Pogbas.
“Nuk do të rinovojë kontratën, me shumë mundësi ai nuk do të jetë këtu sezonin e ardhshëm”, ishin fjalët e trajnerit gjerman.
Prej muajsh dihet vullneti i mesfushorit francez për t’u larguar nga Manchester Unitedi, dhe me sa duket as nënshkrimi i Ten Hag si trajner i ri nuk ka shërbyer për të ndryshuar gjërat.
Në të vërtetë, në Angli ka nga ata që argumentojnë se ishte trajneri aktual i Ajaxit që i kërkoi drejtuesve të “Djajve të Kuq” të mos fokusoheshin tek Pogba, i cili tani po shikon për një aventurë të re.
Lajmet që vijnë nga Manchesteri ndihmojnë tifozët e Juventusit që të ëndërrojnë rikthimin e kampionit francez.
Aktualisht gjatë këtij sezoni me fanellën e Unitedit në Premier Ligë, 29-vjeçari është aktivizuar në total në 20 ndeshje nga ku ka shënuar 1 gol dhe ka dhuruar 9 asiste për shokët e skuadrës.























