Policia mbetet pa 1 mijë policë
Që prej fillimit të punës së Policisë së Kosovës e deri më tani kanë dhënë dorëheqje mbi një mijë policë nga ky institucion, për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, por edhe për çështje të tjera.
Largimi i tyre po konsiderohet shqetësuese nga Sindikata e Policisë së Kosovës.
Lidhur me këtë, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tani deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashid Qalaj deklaroi se është e dhimbshme që pas gjithë atyre trajnimeve bazike e të specializuara, policët detyrohen të largohen nga ky institucion për shkaqe jo vetëm ekonomike, por edhe për arsye tjera.
Po për këtë problem ka reaguar edhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, i cili tha se për shkaqe të njohura tashmë për opinionin, në mungesë të një page të dinjitetshme dhe për arsye tera, që nga themelimi Policisë së Kosovës diku mbi 1000 pjesëtarë të këtij institucioni të sigurisë, vullnetarisht, janë larguar nga ky institucion.
Ndërkohë, ditë më parë, nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se në vitin 2021, janë përjashtuar 32 zyrtarë policorë.
Sipas Policisë, arsyeja për përjashtimin e tyre është bërë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore.























