Takimi i radhës Kurti-Vuçiq, vështirë i mundshëm
Kosovare Gashi/RadioKosova
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq, aktualisht nuk kanë gatishmëri të ulen në tavolinën e bisedimeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend, duke theksuar se takimi eventual mund të ndodhë pas presionit nga BE e SHBA.
Një takim i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, aktualisht po shihet si vështirë i mundshëm. Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend. Ish-ambasadori kosovar, Avni Sapiu, ka thënë për Radio Kosovën, se një takim eventual ndërmjet kryeministrit kosovar Albin Kurti, dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq, mund të ndodh vetëm nëse shtohet presioni i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Nuk mendoj që është një atmosferë e volitshme për të pasur një vazhdim normal të dialogut, duhet pritur. Unë mendoj që dialogu në nivelin teknik do të vazhdoj, por një takim i nivelit të lartë varet edhe nga presioni që do të bëjnë faktorët ndërkombëtar BE dhe SHBA në këtë drejtim”, deklaroi Spahiu
E profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se nuk pritet që shpejt të këtë një takim të nivelit të lartë. Sipas tij krerët e lart të shtetit do të takoheshin nëse do të ketë sinjale për arritjen e ndonjë marrëveshje por, jo tani kur kjo nuk është e mundur.
“Nuk ka gatishmëri të asnjëra palë që të punohet seriozisht. Këtyre takimeve gjithmonë duhet të ju paraprijë sinjali për suksese eventual. Sepse nëse krerët e shtetit takohen atëherë normalisht është e pritshme të kemi një marrëveshje ose të kemi lëvizje përpara, e që në rrethana aktuale duket e vështirë”, deklaroi Hoti
Ndërkohë, javën që lamë pas, Kosova dhe Serbia dështuan në Bruksel të arrinin një marrëveshje për targat në ditën kur skadoi afati i marrëveshjes së përkohshme, që ishte arritur më 30 shtator.
I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u ka bërë thirrje kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për një takim të ri, për të vazhduar diskutimet për çështje të ndryshme.























