Ndryshime procedurale për t’iu shmangur bojkotit opozitar në Kuvend
BKT
Lajme

Ndryshime procedurale për t’iu shmangur bojkotit opozitar në Kuvend

Muharrem Miftari/RTKLive.com

Monitoruesit e Kuvendit e shohin si të nevojshëm plotësim-ndryshimin e Ligjit për Hetim Parlamentar, kështu, thonë ata, nuk do të shfaqeshin probleme sikurse janë aktualisht e të cilat quan në bojkot opozitar.

Kuvendi i Kosovës do te mblidhet sërish të enjten, ku pikë e rendit të ditës  do të jetë formimi i Komisionit Parlamentar për menaxhimin me krizën energjetike.

Krijimi i këtij komisioni dështoi  në seancën e kaluar, pasi, në aspektin procedural u interpretua se kryesuesi i komisionit, sipas ligjit, nuk mund të jetë i një partie nënshkruese të kërkesës.

 Instituti Demokratik i Kosovës ka parë si problem procedural në rrugën që ka ndjekur opozita në tentimin dytë.

 “Në momentin që një anëtar i një grupi parlamentar jep nënshkrimin për jetësimin e këtij komisioni, nënkupton që, si grup parlamentar, ata kanë përfaqësues e, rrjedhimisht, janë jashtë përzgjedhjes për kryesuesin dhe kjo bën problematike kërkesën”, deklaroi Agnesa Haxhiu, nga IKD.

Ndërkaq nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, lidhur me këtë çështje, vlerësohet se partitë, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë, nëse mendojnë që kanë qeverisur mirë, nuk do të duhej t’i frikësoheshin një komisioni hetimor.

“Qeverisja e mirë, praktikat e mira dëshmojnë se ato që kanë dalë në publik si dyshime të ngritura qoftë nga partitë opozitare, të sqarohen sa më mirë dhe mendoj se do të ishte mirë të mundë të formohej ky komision, të hetonte e të dilte me një raport, ku do të sqaroheshin të gjitha dilemat e ngritura”, deklaroi Ehat Miftariaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Ndërkohë, siç bëhet e ditur nga opozita, pa u formuar ky komision, nuk do t’i kthehen votimeve në Kuvend.


MË SHUME NGA Lajme