Petkoviq në Kosovë, serbëve u premton punësim
BKT
FOTO: Visar Shatrolli/RTK
Lajme

Petkoviq në Kosovë, serbëve u premton punësim

Visar Shatrolli / RTK

Besimtarët ortodoksë, sot festojnë Pashkët. Me leje të autoriteteve të Kosovës, për këtë festë, në disa vendbanime ku jeton pakica serbe, po qëndron në vizitë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ai të dielën paradite vizitoi fshatin Banjë e Syriganë të Skenderajt, ku jetojnë disa familje të këtij komuniteti.

Petkoviq tha se serbëve në Kosovë, u përcjell  urimet për festen e Pashkeve, nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, për banorët e këtyre fshatrave.

Mes tjerash, Petkoviq tha se ndodhet në Kosovë  për të  uruar festat dhe për ndërtimin e së ardhmes që të gjithë të jetojnë në paqe.

Megjithatë, ai tha se nuk është e lehtë për serbët të mbijetojnë në Kosovë, ndonëse Serbia gjithmonë  do t’i ndihmojë.

“Kemi ndihmuar me ndërtimin e dy ambulantave dhe shkollën. Do të punojmë ende më shumë edhe ne aspektin e punësimit, me përkrahjen e institucioneve të shtetit të Serbisë”, u tha Petkoviq banorëve të këtij lokaliteti.

Në këtë vizitim Petkoviq ishte i shoqëruar edhe nga Goran Rakiq, ministër për Kthim e Komunitete në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Zyrtari  serb, do të qëndrojë përgjatë këtyre dy ditëve të festes, edhe në vendbanime të tjera ku jeton pakica, serbe, duke zbatuar në përpikëri itinerarin e lëvizjeve, të aprovuar nga institucionet e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Punëve të Jashtme.


MË SHUME NGA Lajme