Prishtina-Drenica, kështu mbyllet derbi i rivalëve të vjetër
Fatmir Bytyqi /RTKlive.com
Prishtina dhe Drenica kanë ndarë pikët duke luajtur baras 1-1, të dielën në sfidën kryesore të javës së 30-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Përballja mes dy rivalëve të vjetër, e luajtur në kryeqytet, ka prodhuar një lojë mesatare, në një sfidë të rëndësishme për të dy skuadrat pasi që të dy ekipet synojnë t’i ikin zonës së barazhit.
Pas 37 minutave lojë, kryeqytetasit kalojnë në epërsi përmes Kryeziut, goli i të cilit u pranua pas rishikimit të VAR-it.
Megjithatë, në finish të pjesës së parë, drenicasit me golin e Mziut në minutën e 45+2’, barazuan shifrat në 1-1.
Lojë interesante u zhvillua edhe në pjesën e dytë, me dominimin e lehtë të Prishtinës, mirëpo, kuqezinjtë nga Skenderaj me angazhimin e tyre maksimal, ia dolën që nga ky udhëtim të shkëpusin një pikë tejet të vlefshme kur tashmë kemi hyrë në fazën më të ‘nxehtë’ të garave.
Pas këtij barazimi, Prishtina ka 39 pikë në pozitën e pestë, tri më shumë se Drenica e cila renditet e teta.























