U rizgjodh President i Francës, Meta uron Macron
BKT
Shqipëri

U rizgjodh President i Francës, Meta uron Macron

Me 58.2% të votave, Emmanuel Macron u rizgjodh dje president i Francës, duke mundur, kështu, rivalen e tij të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila mori 41.8% të votave.

Presidenti Ilir Meta ka uruar Macron për fitoren ndërsa shprehet se beson fort se marrëdhëniet mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Francës, do të rriten dhe forcohen më shumë gjatë mandatit të dytë të presidentit francez.

Me anë të një postimi në Facebook, kreu i shtetit teksa i ka shprehur mirënjohjen Macron për mbështetjen e vazhdueshme që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë përgjatë procesit të anëtarësimit në BE, shpreson që me rizgjedhjen e tij si President, të nxisë edhe më fort këtë proces.

Postimi i plotë i Presidentit Meta:

I nderuar Zoti President, Shkëlqesia Juaj, Emmanuel Macron,

Rizgjedhja Juaj si President i Francës, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të përzemërta e të sinqerta për përmbushjen me sukses të misionit Tuaj në drejtimin e Republikës Franceze.

Besoj fort se marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Francës, miqësia, bashkëpunimi dhe partneriteti euroatlantik do të rriten e forcohen edhe më shumë, gjatë mandatit tuaj të ri.

Bashkëpunimi i ngushtë dypalësh edhe shumëpalësh është shumë i rëndësishëm sot, si në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ashtu edhe si vende të NATO-s, veçanërisht në përballjen me sfidat rajonale, europiane dhe globale që të dy vendet tona kanë përpara.

Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përgjatë procesit të integrimit në Bashkimin Europian, shpresoj fort se, rizgjedhja Juaj si President i Francës do të nxisë edhe më fort mbështetjen që ky proces i rëndësishëm gjeostrategjik rajonal dhe europian të përfundojë me sukses dhe në kohën e duhur./rtsh.al/


MË SHUME NGA Shqipëri