Çitaku pyet Kurtin: Kryeministër, a jeni vendosur në linjë me SHBA-të?
U. Krasniqi
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se po i vije mirë që, më në fund, Kryeministri i Kosovës po shprehë mirënjohje dhe respekt publik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Sinqerisht, dhe pa cinizëm, po më vije mirë që, më më fund, Kryeministri i Kosovës po shprehë mirënjohje dhe respekt publik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Neve, më herët, për qëndrime të bashkrenduara me SHBA-të, Kryeministri i sotëm na ka etiketuar si tradhëtar, të nënshtruar, e të shantazhuar", ka shkruar Çitaku në Facebook.
Sipas saj, "këto qëndrime të kundërshtuara ashpër atëherë nga z.Kurti, i kanë sjellë Kosovës lirinë (përmes Rambujesë), i kanë sjellë pavarësinë, (përmes procesit të Vienës), dhe i ka sjellë MSA-në (përmes dialogut në Bruksel)".
"Mes tjerash, Z. Kurti, atëbotë ka pasë thirrur edhe një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, për të denoncuar një shkëmbim letrash mes Kryeministrit Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. E mos të flasim për zhurmat e paarsyeshme të z. Kurti lidhur me angazhimet e ish-Sekretares Albright në mbështetje të Kosovës. Këto të fundit i kanë të publikuara në fletushkat e VV-së. Kryeministër, a jeni vendosur në linjë me SHBA-të, se dialogu me Serbinë për marrëveshje finale me njohje reciproke është çështje urgjente dhe se kërkon angazhim serioz edhe nga Kosova? Cili është qëndrimi juaj për marrëveshjen e Washingtonit (marrëveshje të cilën e mbështet administrata Biden)? Kryeministër, a e ke pasë gabim atëherë a tash?", ka shkruar Çitaku në Facebook.
Kryeministri Kurti sot pas takimit me ndihmës sekretaren e shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, Dr. Karen Donfried ka thënë se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm përkrah botës demokratike.
“Për SHBA-në, Kosova do të mbetet partner i besueshëm”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi se gjithmonë është kënaqësi të presë dhe të takohet me përfaqësues të SHBA-së.























