Gjenerali Howard shpreh vlerësim të lartë për të arriturat e FSK-së
BKT
Lajme

Gjenerali Howard shpreh vlerësim të lartë për të arriturat e FSK-së

N.Mekolli /RTKlive

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pritën sot në takime të ndara Zëvendës komandantin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM), gjenerallejtënant Michael L. Howard.

“Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari shprehën kënaqësinë për vizitën e Gjeneral Howard, duke e njoftuar atë me të arriturat e deritashme dhe proceset zhvillimore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe objektivat për të ardhmen”, njofton Zyrtare për media e Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë këtij takimi ata kanë theksuar rëndësinë e madhe të mbështetjes së pazëvendësueshme të SHBA-së, përmes Departamentit të Mbrojtjes dhe Ushtrisë Amerikane, si dhe  bashkëpunimin dhe sinkronizimin e ngushtë me ta.

“Nga ana e tij, Gjeneral Howard, shprehu vlerësimin e lartë për të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe siguroi ata për mbështetjen në proceset zhvillimore edhe në të ardhmen”, thuhet tutje në këtë njoftim.

Pos tjerash, në këto takime u diskutua edhe për zhvillimet në kontekstin e ri gjeopolitik global, si dhe reflektimin e tyre në mjedisin e sigurisë rajonale.

“Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari i ritheksuan qëndrimin Gjeneralit Howard se Republika e Kosovës qëndron fuqishëm përkrahë SHBA-së dhe aleatëve të saj, në rrugën e integrimeve euroatlantike si dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, kontinental dhe global”, thuhet në përfundim të këtij njoftimi.


MË SHUME NGA Lajme