Barcelona arrin marrëveshje me Araujon për kontratën e re
Qendërmbrojtësi uruguaian, Ronald Araujo ka rënë dakord për të nënshkruar kontratën e re me Barcelonën, e cila do ta lidhë atë me klubin nga “Camp Nou” deri në vitin 2026.
Skuadra katalanase ka kohë që ka punuar për të siguruar nënshkrimin e qendërmbrojtësit në një marrëveshje të re, pasi kontrata e tij e mëparshme skadonte në vitin 2023.
Zërat për të ardhmen e tij u shtuan kohëve të fundit pas raportimeve që e lidhnin atë me skuadrat angelze Liverpool, Chelsea dhe Manchester United. Megjithatë, uruguaini ka vendosur t’i qëndrojë besnik skuadrës katalanase.
Marrëveshja e re përfshin gjithashtu një klauzolë lirimi të vendosur mbi bazën e një çmimi marramendës prej 1 miliard euro.
“FC Barcelona dhe lojtari Ronald Araujo kanë arritur një marrëveshje për të rinovuar kontratën e tij deri më 30 qershor 2026. Klauzola e blerjes e përcaktuar është vendosur në 1 miliard euro. Nënshkrimi i kontratës së re do të bëhet të premten më 29 prill në orën 13:30 në fushën e ‘Camp Nou’”, njoftoi klubi katalanas.
Araujo që nga viti 2019 ka luajtur në 56 ndeshje me skuadrën e parë të Barcelonës, derisa ka shënuar gjashtë gola./B.H/























