Haxhiu nënshkruan traktatin për transferim të burgosurve nga Danimarka
F.S
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, të martën e ka nënshkruar traktatin për transferimin e të burgosurve nga Danimarka.
Në një njoftim nga Ministria e Drejtësisë thuhet se ky traktat i hap rrugë bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në avancimin e shërbimeve korrektuese, sikurse edhe përkrahjen e projekteve për energji të gjelbër si dhe promovimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut ndërmjet dy vendeve.
“Nënshkrimi i Traktatit pason nënshkrimin e letër-qëllimeve ndërmjet ministrave të drejtësisë dhe ekonomisë së të dy vendeve me datën 21 dhjetor 2021, i cili shprehë përkushtimin për zgjerimin e bashkëpunimit politik dhe zhvillimor, duke nxitur dhe thelluar tutje partneritetin ndërmjet dy vendeve, në fusha me interes të përbashkët”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Drejtësisë.
Ndryshe, një qendër e paraburgimit që gjendet në Pasjak të Gjilanit, pritet të jetë vendi ku do të vendosen 300 të burgosur danezë së paku për 10 vjetët e ardhshëm, pasi Kosova dhe Danimarka nënshkruan vitin e kaluar një letër-pëlqim, sipas të cilit 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim Danimarkës.
Për këtë huazim, Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme. /F.S.























