Kurti çmon lart kontributin e Albright
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe ish-presidenten, Atifete Jahjaga, kanë marrë pjesë sot në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, në ambientin historik të Katedrales Kombëtare të Uashingtonit.
Mirësia, humanizmi dhe intelekti i saj u vlerësuan nga të gjithë pjesëmarrësit në ceremoninë e lamtumirës së fundit. E fjalë të mëdha për ish-Sekretaren Albright ka edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se sot iu dha lamtumira e fundit një gruaje që ka kontribuar më shumë se gati çdokush tjetër për popullin tonë, në momentet e tij më të vështira.
"Nga ambasadore e ShBA-ve në OKB te Sekretare Amerikane e Shtetit, nga administrata e Presidentit Jimmy Carter tek ajo e Presidentit Bill Clinton, nga përvoja në fëmijëri si refugjate e persekutimit nazist te vepra e saj e fundit mbase më i rëndësishmi libër anti-fashist në shekullin XXI, Zonja Sekretare Madeleine Albright ka lënë trashëgimi tejet të pasur për politikën, diplomacinë dhe historianët. Kurse për Kosovën dhe shqiptarët ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë dhe emri i saj i përveçëm Madeleine Albright i përkasin të njëjtës fjali", ka shkruar Kurti.
I pari i Qeverisë së Kosovës po ashtu ka shkruar se në kuadër të ceremonisë, së bashku me presidenten Osmani dhe ish-presidenten Jahjaga patën rast të takoheshin me miq të çmuar të Kosovës, duke përfshirë sekretarin aktual të Shtetit, z. Antony Blinken, ish presidentin e ShBA-së, z. Bill Clinton, ish zëvëndëspresidentin, z. Albert Gore, ish sekretarët e Shtetit znj. Hillary Rodham Clinton, znj. Condoleezza Rice dhe z. John Kerry, si dhe ish kongresistin z. Eliot Engel. /V.Th/
























