BSPK më 12 maj në grevë një orshe
N.M. /RTKlive
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK),pas disa paralajmërimesh për protesta e greva sot ka vendos për grevë një orshe dhe protestë, nuk përjashtohen grevën e përgjithshme.
BSPK ka vendosur që më datën 12 maj të mbahet grevë një orëshe për të gjithë të punësuarit në Kosovë. Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, pas takimit me sindikatat ka njoftuar se më datën 20 maj do të mbahet protestë.
"BSPK ka vendosur që krahas që është hapur një tunel i dialogut social me institucionet tona, më datën 12 maj, kemi vendosur që të fillojmë me një grevë një orëshe për gjithë të punësuarit e Kosovës dhe protestë më datën 20 maj", ka thënë Hykolli.
Edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka njoftuar se pas grevës dhe protestës, nëse nuk përfillen kërkesat e tyre, do të mbahet grevë e përgjithshme.
"Sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke e paralizuar edhe sistemin arsimor dhe sektorët tjerë. Po i japim hapësirë dialogut, e ky veprim do të shihet më 12 maj, me grevën një orëshe dhe protestën më 20 maj që besoj se do të jetë madhështore", ka deklaruar Jasharaj.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), para një jave, (20 prill) i kishte dhënë një javë afat Qeverisë së Kosovës, për të plotësuar kërkesat e sindikatave në vend, në të kundërtën, ato kishin paralajmëruar se do të thërrasin grevë.
Kjo e fundit, para disa ditëve, thirri protestë të sindikatave që veprojnë në ombrellën e saj, duke i dhënë afat Qeverisë, afat datën 20 prill, për plotësimin e kërkesave.
Pas premtimit të kryeministrit Albin Kurti, se do të marrë në konsideratë kërkesat e sindikalistëve, BSPK, por më vonë edhe disa sindikatat e tjera të punëtorëve kanë marrin vendim për shtyrjen e grevës në nivel vendi.
Imer Zeqiri, anëtar i kryesisë së BSPK-së para do ditësh, për RTK, ka deklaruar se vendimi i 20 prillit, për shtyrjen e grevës nga BSPK është marrë pas premtimit të kryeministrit të vendit për të trajtuar këtë çështje, për të gjetur një model të zgjidhjes së problemit.
Sipas Zeqirit zgjidhja e problemit varet nga oferta e kryeministrit për kërkesat e parashtruara nga sindikata.























