RTK vjen më një tjetër ekskluzivitet, finalet e Play-Off-it
Fatmir Bytyqi /RTKlive.com
Shtëpia më e madhe mediale, Radio Televizioni i Kosovës (RTK), vjen më një tjetër ekskluzivitet.
RTK e ka siguruar të drejtën ekskluzive të transmetimit të ndeshjeve finale të Play-OFF-it në Superligën e djemve.
Duelet mes KV Peja dhe KV Luboteni nga Ferizaj, do të vijnë drejtpërdrejt në transmetuesin publik. Seria e finaleve fillon të dielën, me finalen e parë që është në program nga ora 20:30.
KV Peja pas triumfit në Kupën e Kosovës, dëshiron edhe sivjet ta mbrojë fronin në garat kampionale, që të fitojë dy trofetë e sezonit. Ndeshja e së dielës, transmetohet drejtpërdrejt në RTK1.
DRITA E FER VOLLEY NË GARË PËR TITULL
Ndërkohë, akti i parë i finaleve të Play-OFF në Superligën e vajzave në volejboll, risjell duelin mes kampionit në fuqi Dritës dhe skuadrës ferizajase Fer Volley.
Në “përsëritjen” e finales së Kupës, ku triumfoi Drita, ballafaqimet e serisë së Play-OFF pritet të jenë interesante dhe me rivalitet të madh.
Ndeshja e parë e finales së Play-OFF luhet të shtunën në Pallatin e Sporteve “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan, me fillim nga ora 20:30.























