Ali Ahmeti uron Abazoviqin: Na pret shumë punë në integrimin e rajonit
Urimet për Dritan Abazoviqin po vijnë nga të gjitha trojet shqiptare. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, e ka uruar kryeministrin e ri të Malit të Zi, teksa zgjedhjen e tij e ka vlerësuar si lajm të bukur.
“Përgëzime të sinqerta dhe shumë suksese Dritanit, bashkë me të cilin na pret shumë punë në agjendën e përbashkët të zhvillimit dhe integrimit të rajonit”, ka shkruar Ali Ahmeti në Facebook.
Për zgjedhjen e Qeverisë së re të Malit të Zi votuan 45 deputetë nga gjithsej 81.
Për kabinetin e Abazoviqit votuan deputetë të partive që përbëjnë Qeverinë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.























