Kancelari Scholz, më 4 maj, takon ndaras Kurtin e Vuçiqin
Fadil Gashi /Radio Kosova
Në agjendën e takimeve nga Zyra e Kancelarit Scholz, theksohet se në takimin me kryeministrin Albin Kurti, që do të mbahet pasditen e 4 majit në Berlin, do të bisedohet tema e përafrimit të Kosovës në procesin drejt integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Të mërkurën, më 4 maj, kancelari gjerman Olaf Scholz do të presë në takime të ndara Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kjo bëhet e ditur në agjendën e takimeve të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë gjermane. Aty theksohet se shkas për takime me Presidentin e Serbisë Vuçiq është procesi i përafrimit të Serbisë me Bashkimin Evropian dhe zhvillimet aktuale.

Ndërkaq, për sa i përket takimit me kryeministrin Albin Kurti, theksohet se ai do të mbahet pasdite në Berlin, ndërsa thuhet se temë e bisedimeve do të jetë përafrimi i Kosovës në procesin drejt anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Në fund të takimeve, do të ketë edhe konferenca të ndara për shtyp si me presidentin e Serbisë Vuçiq, ashtu edhe me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.























