Ndihmës Sekretarja Donfried nga Tirana, flet për armatosjen e Serbisë
Valbona Thaçi/ RTKLive.com
“Kur një vend merr vendime për blerjet e armëve dhe sigurisht kur mendon në këndvështrim të gjerë për marrëdhëniet me atë vend, është shumë e vështirë të imagjinosh ndonjë vend që të ketë një marrëdhënie të pandryshuar me Rusinë pas 24 shkurtit (fillimi i agresionit të Rusisë mbi Ukrainën)”.
Kështu deklaroi Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, në intervistë për “Zërin e Amerikës”, kur u pyet nëse mendon se blerjet e armëve që Serbia ka bërë nga Rusia e së fundmi edhe nga Kina, përbëjnë një rrezik për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan.
“Dhe, e përsëris, mendoj se çdo vendim që një vend merr në lidhje me blerjet e armëve është i informuar nga ai këndvështrim i gjerë mbi mënyrën se si duhet të jetë në vazhdim një marrëdhënie me Rusinë apo me Kinën. Po mjaftohem me kaq”.
Ndihmës Sekretarja Donfried deklaroi se Serbia qëndroi në anën e duhur të historisë në fillim të marsit në votimin e parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kur njëqind e dyzet e një vende, përfshirë Serbinë, votuan për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërkuan që Rusia të tërhiqet.
“Mendoj se është e rëndësishme ta pranojmë se këto ishin vendime të vështira dhe të vlerësojmë vendimin që mori Serbia”, tha Donfried, duke dhënë përgjigje në pyetjen nëse është e shqetësuar me qëndrimin e Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
“Veprimet që po ndërmerr Vladimir Putin, janë të pajustifikuara, të paprovokuara dhe brutale dhe lidhur me këtë, ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përputhë qëndrimin e saj me BE-në dhe sanksionet që ajo ka vendosur”.
Në deklarim nga Tirana, ku pati takime me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, si dhe me deputetë të opozitës, diplomatja e lartë amerikane tha se thellimi i partneritetit mes dy vendeve ishte në qendër të vizitës.























