Njëri nga dy të plagosurit me armë zjarri në Badovc është zyrtar policor
Venera Xhoxhaj /RTK
Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në mesditën e sotme te Liqeni i Badocit. Dy të rinj të cilët u plagosën janë jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në Klinikën Emergjente në QKUK. Në këtë rast është i përfshirë një zyrtar policor derisa Inspektorati Policor i Kosovës pak më parë ka konfirmuar se janë duke e hetuar këtë rast.
(E plotësuar) Ky vikend nuk ishte ditë relaksuese për dy të rinj të moshave 23 dhe 28 vjet. Ata u plagosën te Liqeni i Badovcit me armë zjarri.
Zëdhënësi i policisë Agron Borovci ka konfirmuar për RTK-në se rreth orës 15:30, policia ka pranuarinformacione për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Suteskë të fshatit Mramorë të komunës së Prishtinës.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat e para, janë ngritur dyshimet se dy persona, kanë marrë plagë nga arma zjarrit. Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin", ka thënë ai.
Ndërsa gjendja shëndetësore e tyre është jashtë rrezikut për jetë. Mjeku kujdestar Ejup Govori përmes telefonit tha se gjendja e tyre është stabile dhe se të njëjtit kanë marrë trajtimin mjekësor dhe ekzaminimet e nevojshme.


























