Haradinaj: Qeveria t’i lërë fjalët e t’iu kthejë dinjitetin punëtorëve
BKT
Lajme

Haradinaj: Qeveria t’i lërë fjalët e t’iu kthejë dinjitetin punëtorëve

Naser Mekolli /RTKlive.com

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti në Ditën e Punëtorëve. Ai thotë se qeveria duhet t’i lërë fjalët e t’iu kthejë dinjitetin punëtorëve.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haradinaj theksoi se ky 1 Maj, punëtorët i gjeti “pa Ligj të Pagave, pa rritje të pagave për këto një vit e sa, pa sigurim shëndetësor e pa shtesa të fëmijëve e pa shpresë për ditë më të mira”.

“Një Maji, është ajo dita kur punëtorët kërkojnë të drejtat e tyre, e kur pushtetet përpiqen të tregojnë sa shumë kanë punuar për ta. Por, Një Maji Kosovën e gjenë me të drejta të nëpërkëmbura e të shkelura të punëtorëve. Pa Ligj të Pagave, pa rritje të pagave për këto një vit e sa, pa sigurim shëndetësor e pa shtesa të fëmijëve e pa shpresë për ditë më të mira”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Dita e punëtorëve, punëtorët kosovarë i gjenë në një situatë të rëndë.

“Qindra mijëra punëtorë të sektorit privat pothuaj se janë lënë pasdore, ndërkohë që edhe sektori publik me këtë shtrenjtimin enorm të jetesës, e ka të vështirë ta lidh fillimin me fundin e muajit!

Qeveria duhet t’i lërë fjalët e t’iu kthejë dinjitetin punëtorëve!

Urimi im për të gjithë punëtorët e Republikës së Kosovës në këtë 1 Maj është, Paçit ditë më të mira!”, ka shkruar Haradinaj.


MË SHUME NGA Lajme