Kurti falënderon Tërnavën për kontributin në shtetndërtimin e Kosovës
E.H
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar të hënën Bashkësinë Islame të Kosovës nga ku u ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë festën e Fitër Bajramit, ndërsa falënderoi BIK-un që po ndihmën në shpërndarjen e pakove të ndara nga Qeveria.
“Urime Fitër Bajrami të gjithë besimtarëve. Ishte kënaqësi të takohem me myftiun pas dy vjetëve për shkak të pandemisë që na u bë e pamundur vizita në festat e mëparshme. Me lutjet më të mira që t’u pranohet agjërimi, që t’u pranohet sakrifica, dëshiroj për të gjithë njerëzit që të ketë paqe, të ketë mirëqenie, të ketë lumturi“, ka uruar Kurti.
Kryeministri Kurti ka falënderuar myftiun Naim Tërnava për kontributin në shtetndërtimin e Kosovës.
“Falënderoj Bashkësinë Islame të Kosovës dhe myftiun Tërnava për kontributin dhe rolin e jashtëzakonshëm që kanë pasur për shoqërinë, për shtetin për kombin, për çlirimin, edhe për pavarësinë edhe për shtetndërtimin e zhvillimin e Kosovës“, tha ai.
Kurti po ashtu falënderoi Bashkësinë Islame që nëpërmjet rrjetit të saj po ndihmon që të shpërndahen pakot për qytetarët e vendit të cilët janë pjesë e masave të qeverisë.























