Hungaria hap Konsullatë Nderi në Prizren
J.M / RTKlive.com
Prizrenit i shtohet edhe një konsullatë. Pas asaj të përgjithshme të hapur nga Turqia në prill 2016, në këtë qytet tashmë edhe një e dytë do të hapet të mërkurën e 4 majit.
Këtë herë është Hungaria që ka vendosur të hapë një Konsullatë të Nderit në qytetin jugor të Kosovës.
Për më tepër, kjo Konsullatë e Nderit është e para që një shtet anëtar i BE-së e hapë në Prizren.
Kështu, të mërkurën duke filluar nga 15:45 deri 17:00, do të mbahet e gjithë ceremonia, ku do të marrin pjesë edhe zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës dhe shtetit Hungarisë, raporton RTKlive.com.
“Sa i përket përfaqësuesve të Kosovës, të pranishëm do të jenë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe komunave të këtij rajoni”, shkruan në njoftimin zyrtar.
Pas ceremonisë së hapjes së Konsullatës së Nderit të Hungarisë në Prizren, do të vazhdohet me ecjen këmbë për në kopshtin e Katedrales e “Zojës Ndihmëtare” së Prizrenit.
“Më pas do të bëhet edhe zbulimi i bustit të János Hunyadit dhe Skënderbeut”, shkruan në agjendën e kësaj ceremonie, përcjellë RTKlive.com.
Me 23 prill 2016, në Prizren është hapur Konsullata e Përgjithshme e Turqisë, ku pjesëmarrës ishte edhe zëvendëskryeministri turk në atë kohë, Numan Kurtulmush.
Me atë rast, kryeministri i Kosovës në atë kohë, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri turk Kurtulmush, kishin vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy shteteve, ku kishin shprehur përkushtimin e dyanshëm për bashkëpunim të mëtejshëm mes Kosovës dhe Turqisë.























