Rama reagon pas raportit të `Reporterët pa Kufij`: Çfarë fantazie!
Shqipëri

Rama reagon pas raportit të `Reporterët pa Kufij`: Çfarë fantazie!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas raportit të publikuar nga Organizata ‘Reporterët pa Kufij’ sipas së cilit Shqipëria jo vetëm që zbriste me 20 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, por shkruante se gazetarët në vendin tonë janë viktima të dhunës policore.

Lidhur me këtë të fundit, kryeministri Rama shkruan se është një gënjeshtër e madhe, fantazi dhe tallje, teksa thekson se e ka të pamundur të heshtë, kur sheh se si disa tallen me lirinë e fjalës.

Kryeministri ka shprehur rezerva edhe mbi faktin se në raport shkruhet se në Shqipëri mediat janë të intimiduara, ndërsa thekson se në fakt sipas tij, në vendin tonë ka vetëm viktima të lajmeve të rreme.

Postimi i Kryeministrit Rama në Twitter:

E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin, në emër të saj!

Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri?Çfarë gënjeshtre!Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike?Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare?Çfarë talljeje!Vetëm titulli mungon:Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s'dimë ç'të bëjmë me lirinë!

Në Shqipëri s'ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve,gënjeshtrave e lajmeve të rreme! Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s'ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s'ekziston!/rtsh.al


MË SHUME NGA Shqipëri