Analistët: Takimi i nesërm, presion i madh mbi Kosovën
BKT
Lajme

Analistët: Takimi i nesërm, presion i madh mbi Kosovën

Fadil Sertolli/ RTKlive.com

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, të mërkurën më 4 maj do ta presë në Berlin edhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, sllovakun Miroslav Lajçak. Gjithashtu në takime të ndara, të pranishëm do të jenë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e më pas edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Këtë lloj të takimit analistët politik e shohin në mënyra të ndryshme. Profesori universitar, Afrim Hoti, deklaron se pret që pas zgjedhjeve tashmë të mbajtura, edhe Franca të bëjë levizje pozitive dhe se siç shprehet ai, kjo dyshe të përbëjë binomin e duhur për të t’iu  bashkengjitur SHBA-ja dhe Britania e Madhe, e për ta përmbyllur përfundimisht problematikën Kosovë-Serbi.

Në anën tjetër analistja politike Vjollca Hajdari thotë se takimet për dialogun Kosovë –Serbi, janë mbajtur edhe më parë jashtë Brukselit, por siç thotë ajo, kanë qenë të kamufluara nën tituj të tjerë.

Porse sipas saj, kësaj radhe është  konkretizimi i skenarit të dhimbshëm mbi zhvillimet në Kosovë.

“Vet Procesi i Berlinit, i cili më shumë i ngjan Kongresit të Berlinit, është një shembull se aty janë bërë parapërgatitjet për implementim të hapave konkret të dialogut. Unë vet i kam percjellë takimet në Procesin e Berlinit dhe ato kanë ecur gjithmonë në forme jotransparente. Besoj që edhe ky takim do të zhvillohet me të njëjtën formë”, tha Hajdari për RTKlive.com.

 Sipas saj të vetmen lëvizje që sheh ajo, ‘është  konkretizimi i skenarit të dhimbshëm mbi zhvillimet në Kosovë”.

“Druaj se Kosova do të jetë e detyruar të bëjë shumë kompromise. Presioni politik është shumë i madh, ndaj këtë barrë është duke e bartur posaqerisht Kryeministri Kurti. Fakti se Ndermjetesuesi i BE-se është për herë tëe parë në këtë konstelacion në Berlin, nuk e ndryshon planprogramin politik të hartuar shumë kohë më parë. Kjo do të thotë se drafti është i vjeter, por vetëm vendi ndryshon tha Hajdari për RTKlive.com.

E vetmja gjë që vë re, siç thotë ajo në këtë takim që pritet të mbahet të mërkurën, është fakti se politika gjermane është më aktive dhe që po ndryshon ngadalë kursin e saj ndaj Rusisë.

“Ftesa e Lajçakut, Kurtit dhe Vuçiqit në Berlin, është edhe një përgjigje ndaj Rusisë, se BE-ja në krye me Gjermaninë dhe në bashkepunim me SHBA-të, mbajnë akoma primatin mbi politikat në Ballkan”, shprehet analistja Vjollca Hajdari për RTKlive.com.

Profesori universitar, Afrim Hoti mendon se gjerat po rrjedhin ashtu siç pritej dhe dukej qartë, pasi siç shprehet ai, Brukseli nuk ka aftësi e kapacitet të shtyej çështje kaq me rëndësi përpara prandaj udhëheqja e tyre më e qartë dhe konkrete mbetët alternativa.

Sipas tij, Gjermania edhe ashtu ka treguar gatishmëri me nismen e njohur si Samiti i Berlinit dhe se takimi i radhes duhet të shihet në këtë përspektivë.

“Pres që pas zgjedhjeve tashmë të mbajtura edhe Franca të bëjë levizje pozitive dhe se kjo dyshe të përbëjë binomin e duhur për të iu bashkengjitur SHBA-ja dhe Britania e Madhe për ta përmbyllur përfundimisht problematikën Kosovë-Serbi”, tha Hoti për RTKlive.


MË SHUME NGA Lajme