Ndryshon agjenda, Scholz nuk merr pjesë në darkë (E plotësuar)
Jeton Musliu / RTKlive
Kancelari i gjerman Olaf Scholtz, më 4 maj do t`i presë në takime të ndara në Berlin, kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti e më pas edhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Gjithashtu në takim do të presë edhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, sllovakun Miroslav Lajçak.
RTK ka mësuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, menjëherë pas takimit me kancelarin gjerman, Scholz dhe pas konferencës së paraparë me gazetarë, do të takohet edhe me ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Pas takimeve zyrtare dhe konferencës për media që kryeministri Kurti do të ketë me kancelarin Scholz, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK, në orën 19:45 do të ketë një darkë joformale.
Ndonëse më herët është raportuar se në darkë do të jetë i pranishëm dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, tashmë është konfirmuar se të pranishëm do të jenë vetëm kryeministri Albin Kurti, presidenti Aleksander Vuçiq dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Siç raporton Gentiana Begolli-Pustina, e dërguara e posaçme e RTK-së në Berlin, për të ndjekur këtë takim, delegacioni kosovar i kryesuar nga kryeministri Kurti, tashmë ka mbërritur në kryeqytetin gjerman.
Ora 13:00
Takimi në Berlin, RTK me transmetim special
Qeveria ka njoftuar edhe zyrtarisht sot se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Berlinit në Gjermani.
Në njoftim të shkurtër të shpërndarë nga Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrisë, shkruan se Kurti do të ketë takim bilateral me kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Shcolz.
Ndërkohë, ekipi i RTK-së tashmë ndodhet në Berlin, ku gjatë ditës do të sjellë informacione të detajuara për këtë takim.
Prandaj, siç njofton gazetarja Gentiana Begolli-Pustina, nga ora 15:00 deri 16:00, do të ketë takim dypalësh ndërmjet kancelarit Olaf Scholz dhe kryeministrit Albin Kurti.
RTK do të transmetojë drejtpërdrejt pritjen zyrtare të kryeministrit Kurti, nga ana e kancelarit gjerman, Scholz, në orën 15:00.
Pastaj, nga ora 16:00 deri 16:30, Scholz e Kurti do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Fillimisht një deklarim do ta bëjë kancelari Scholz e pastaj kryeministri Kurti, para se gazetarët të kenë mundësi t’u bëjnë nga dy pyetje secilit prej tyre.
Në orën 19:45, do të shtrohet darkë, e ku i pranishëm do të jetë Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
RTK ka mësuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, menjëherë pas takimit me kancelarin gjerman, Scholz dhe pas konferencës së paraparë me gazetarë, do të takohet edhe me ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Të gjitha këto takime, përfshirë edhe konferencën për media, RTK do t’i sjellë në transmetim të drejtpërdrejtë nga Berlini në kuadër të emisionit “Imazhi i ditës” që sot fillon në orën 16:00.























