Hajdari në panairin “Kosova 2022”: Turizmi prioritet, sjell punësim
B. Halimi / RTKlive
Turizmi do të jetë sektori më me prioritet në Ministrinë e Infrastrukturës, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pasi ky sektor sjell punësim, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.
Kështu deklaroi ministrja Rozeta Hajdari në hapje të panairit dyditor ndërkombëtar të turizmit “Kosova 2022”, që po mbahet në ambientet e hotelit “Grand” në Prishtinë. Ky panair konsiderohet si mundësi e mirë për promovimin dhe fuqizimin e turizmit në Kosovë dhe Shqipëri.
“Republika e Kosovës ka shumë çka për të treguar, sidomos nga fusha e turizmit kulturor dhe turizmit natyror. Turizmi është një sektor që sjell stabilitet për shtetin tonë, që sjell punësim dhe garanci për të rinjtë tanë që të kemi më shumë vende pune, prandaj unë kam vendosur që këtë sektor ta vendosë si një ndër prioritetet e ministrisë që drejtoj”, ka theksuar ministrja Hajdari.
Ajo ka thënë se shpejti pritet të finalizohet strategjia për turizmin, nëpërmjet të cilës do të vihet në pah potenciali i turizmit kosovar dhe do të materializohet në mënyrë efektive.
Ndërkaq, kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti ka thënë se panairi është një mundësi e mirë për promovimin e turizmit. Sipas tij gjatë dy ditëve në këtë panair do të shpalosen ofertat e ndryshme.
“Ky është edicioni i parë i këtij panairi dhe urojmë që të jetë i përvitshëm e të kemi sa më shumë partnerë. Këtë herë kemi biznese nga 7 shtete të rajonit. Qëllimi kryesor është që edhe Kosova të promovohet sa më shumë me paketat e saj të lavditshme turistike në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Hoti.
Kryetari i Unionit të Turizmit në Shqipëri, Rrahman Kasa tha se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për rritjen e numrit të turistëve në mënyrë që ta fuqizojnë ekonominë.
“Ne së bashku me Unionin e Turizmit të Kosovës synojmë që të promovojmë vendet tona në tregjet ndërkombëtare. Kosova nuk ka deti por i ka të gjitha atraksionet tjera turistike. Shqipëria dhe Kosova janë prapa në aspektin e turizmit me vendet e rajonit, por ne kemi nevojë për pako stimuluese me qëllim që të rrisim prurjet turistike, të rrisim numrin e turistëve sepse kështu fuqizojmë ekonominë tonë. Qëllimi kryesor është rritja mirëqenies së qytetarëve dhe rritja e bizneseve tona”, është shprehur Kasa.
Pjesë e këtij panairi janë edhe kompanitë nga Ulqini, teksa kryetari i Organizatës Turistike të këtij qyteti, Gëzim Hajdinaga ka ftuar turistët kosovarë që t’i kalojnë pushimet në Ulqin.
Në panairin “Kosova 2022” po marrin pjesë 120 kompani turistike vendore dhe ndërkombëtare.























