Xhaçka: Shqipëria po ndjek të gjitha reformat për t’u anëtarësuar në BE
Shqipëri

Xhaçka: Shqipëria po ndjek të gjitha reformat për t’u anëtarësuar në BE

Situata e sigurisë ka sjellë në Tiranë ministrin e jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis në kuadër edhe të një turi ballkanik si dhe 30 vjetorit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërsa kanë vlerësuar marrëdhëniet aktuale duke nënshkruar edhe një Memorandum Mirëkuptimi për Konsultime Dypalëshe, Ministrat Xhaçka dhe Landsbergis janë deklaruar qartë për rrugëtimin europian të Shqipërisë.

“Shkëmbyem mendime rreth rëndësisë së këtij procesi, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për të gjithë Unionin. I shpreha kolegut mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur që Lituania i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Urojmë që, BE-ja do të vendosë mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me vendin tonë sa më parë. Gjithsesi, unë e sigurova kolegun Landsbergis se, Shqipëria do të vijojë procesin e reformave", tha ministrja Xhaçka.

Nga ana tjetër ministri e jashtëm lituanez tha se Shqipëria po ndjek të gjitha reformat e nevojshme për t’u anëtarësuar në BE.

“Sigurisht ne po ndjekim situatën në rajon dhe po shikojmë se Shqipëria po kontribuon dhe po vepron në përputhje me parimet e BE. Mendoj se është mjaft e rëndësishme të kemi progres të mëtejshëm dhe së bashku me Maqedoninë e Veriut të shpresojmë që do të ketë një anëtarësim sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE”

Ministrja shqiptare ka siguruar nga ana tjetër se qendrimi i Shqipërisë mbetet i njëjtë për nga situata në Ukrainë.

"Si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe si bashkëpenëmbajtëse me SHBA për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ka qenë aktive dhe vazhdon të lobojë brenda Këshillit të Sigurimit për të siguruar mbështetje sa më të gjerë të mundshme për këtë çështje" tha Xhaçka. /RTSH


MË SHUME NGA Shqipëri