Sylejman Selimi emërohet anëtar i KE të FFK-së
Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës sot i është shtuar një anëtar i ri.
Me propozim të presidentit të kësaj federate Agim Ademi, anëtar i KE të FFK-së është emëruar Sylejman Selimi, ka njoftuar shtëpia e futbollit kosovar.
Ky i fundit në opinion më shumë njihet si ish-komandant i UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së, por ai në rininë e tij kishte qenë një nga futbollistët më të shquar. Gjatë viteve të 80-ta kur ishte në fillet e karrierës, Selimi mbrojti ngjyrat e klubeve, KF Malushgat(Dukagjini) dhe KF Buduqnosti nga Skënderaj, ndërsa në vitet 90’-96’, karrierën e tij prej futbollisti e zhvilloi në KF Drenica.
"Ish-mesfushori drenicas ishte edhe pjesë e Kombëtares së Kosovës të asaj kohe. Dëshira për të kontribuar në zhvillimin e futbollit kosovar vazhdoi edhe pas luftës së fundit në vend, me ç’rast angazhimin e tij e vazhdoi në struktura udhëheqëse, në vitin 1999-2000 ishte president i KF Drenica, kur edhe klubi ishte inkuadruar për herë të parë në Superligë, më pas në periudhën 2000-2001, Selimi ishte drejtor dhe më pas edhe kryetar i Klubit të Futbollit Prishtina", thuhet në njoftimin e FFK-së.
Gjeneral Selimi asnjëherë nuk u shkëput nga futbolli, pasi ishte pjesë e Ligës së Veteranëve dhe kapiten i Kombëtares së Veteranëve.























