Pikat mbi të cilat Kryeministri Kurti, mbështeti fjalimin e tij
Jeton Musliu / RTKlive
Pas takimit të kryeministrit Albin Kurti, me kancelarin Olaf Scholz në Berlin, Zyra e kryeministrit të Kosovës, publikoi fjalimin e plotë të shefit të ekzekutivit kosovar.
Këtë fjalim, kryeministri Kurti e lexoi në konferencën për media me kancelarin Scholz.
RTKlive sjell në vazhdim disa nga pikat kryesore të fjalimit të kryeministrit Kurti.
-Gjermania është vend mik dhe aleat strategjik për Kosovën.
Dy vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta të lirisë, të demokracisë dhe të barazisë në mundësi për të gjithë.
-Republika e Kosovës e dënon ashpër agresionin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës dhe e ka dënuar që në ditën e parë.
-Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë në linjë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
-Kosova ka ofruar strehim dhe kushte për punë për 20 gazetarë të Ukrainës dhe është e gatshme të strehojmë deri në 5,000 refugjatë dhe ka hequr vizat për qytetarët e Ukrainës.
-Në këtë vit qeverisje, vendi ka bërë përpjekje të mëdha për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe ka pasur sukses në luftimin e kontrabandës, krimit dhe korrupsionit.
-Janë filluar reformat në administratë dhe në sektorin e drejtësisë e së fundmi është hapur edhe Gjykata Komerciale
-Marrëdhëniet Kosovë-Gjermani janë të shkëlqyeshme.
-Kurti ftoi kancelarin të vijë në Kosovë me një delegacion të gjerë investitorësh dhe të shohë mundësitë e investimeve të cilat Kosova i ofron e që janë të shumta.
- Pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga sa më shumë vende, duke përfshirë edhe 5 vendet nga Bashkimi Evropian.
-Kryeministri kërkoi nga Kancelari Scholz që Gjermania të shtyjë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën meqë vendi ka marrë rekomandim të tillë nga Komisioni Evropian para katër vjetësh.
-Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe llogaritë mbështetjen e Gjermanisë.
- Për Kosovën Bashkëpunim Rajonal nuk është zëvendësim për anëtarësim në BE, por përshpejtim dhe vendi e mbështetë plotësisht Procesin e Berlinit dhe jo iniciativa të tjera paralele.
-Kosova në dialog është pro-aktive dhe konstruktive, duke sjellë edhe propozime në linjë me vlerat e BE-së.
-Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje-reciproke, pra jo në njohje që vjen në fund të një procesi të gjatë, por si dialog për marrëveshje me njohje reciproke në qendër.























