Analistët për RTKLive: Ballkani me meritë është kampion i Kosovës
BKT
Sport

Analistët për RTKLive: Ballkani me meritë është kampion i Kosovës

Fatmir Bytyqi /RTKlive.com

“Ballkani me plotë meritë është kampioni i ri i Kosovës. Puna e madhe dhe profesionale që është bërë viteve të fundit tek Ballkani, e ka çuar me meritë titullin e kampionit në Suharekë.

Kështu mendojnë analistët e futbollit të Kosovës. Barazimi i sotëm i Gjilanit me Dritën (0-0), edhe matematikisht ia ka siguruar titullin e kampionit skuadrës nga Suhareka, të parin në historinë e klubit të tyre.

Morina: Titull i merituar pas një punë disavjeçare

Analisti i futbollit, njëhërit trajneri i Ferizajt, Arbnor Morina për RTKLive.com, ka thënë se Ballkani e ka merituar titullin e kampionit, sepse sipas tij, titulli ka ardhur falë punës së madhe disavjeçare. Ai beson se Ballkani do ta përfaqësojë Kosovën denjësisht në Ligën e Kampionëve.

“Titull i merituar pas një punë disavjeçare. Ekipi dita e ditës ka treguar kualitet dhe është një klub që është rritur secilin vit”, tha Morina.

“Mendoj se puna e kryetarit, bashkëpunëtorëve të tij, stafit të trajnerëve ka qenë në harmoni të plotë si dhe rrjedhojë e kësaj ka ardhur titulli i kampionit”.

“Në Ligën e Kampionëve besoj se shumë gjera do të varen nga tërheqja e shortit. Kam besim në ekipin e Ballkanit, i cili besoj se do të përforcohet edhe me ndonjë lojtarë dhe të na përfaqësojë sa më mirë të gjithëve”, theksoi Morina.

Sejdiu: Titulli, projekt i filluar tri vite me parë

Ndërkohë, edhe Ganit Sejdiu, një tjetër trajner i njohur në futbollin tonë, mendon se Ballkani me plotë meritë është kampion i ri i Kosovës.

“Sukses me plotë meritë, i cili ka filluar të projektohet para tri viteve, me mund, cilësi dhe çdo herë duke rritur fuqinë e saj. Neve na mbetet vetëm ta përgëzojmë Ballkani dhe t’i urojmë sukses në sfidat e ardhshme”, ka pohuar Sejdiu për RTKLive.com.

Isufi: Paraqitja e Ballkanit në Champions varet nga shorti

Edhe ish-trajneri i Ballkanit, Bekim Isufi mendon se titulli i kamponit me meritë ka shkuar në Suharekë. Ai thotë se paraqitja në Ligën e Kampionëve është një sfidë e re për Ballkanin, por sipas tij, paraqitja e kësaj skuadre në elitën e futbollit evropian, do ta varet nga shorti.

“Ballkani me shumë meritë e ka fituar titullin e kampionit”, theksoi Isufi.

“Liga e Kampionëve është shumë konkurruese, por varet shumë nga shorti se më kë do të përballet”, tha Isufi.