Rama: Përulësisht me respekt për ata që e deshën atdheun me jetë
Shqipëri

Rama: Përulësisht me respekt për ata që e deshën atdheun me jetë

5 Maji shënon në vendin tonë ‘Ditën e Dëshmorëve’ duke përkujtuar ata që dhanë jetën e tyre për kombin. Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në ‘Varrezat e Dëshmorëve’ kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Kryeministri Edi Rama ka uruar 5 Majin në facebook ku shkruan se dëshmorët do të përkujtohen gjithmonë me respekt.

“Mirëmëngjes. Përulësisht me respekt për ata që e deshën atdheun me jetë. Të paharrueshmit, Dëshmorët tanë”, shkruan Rama.

Në ‘Ditën e Dëshmorëve të Kombit’, të rënët kujtohen me mirënjohje jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

‘Dita e Dëshmorëve’ e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisen përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.

Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez. /rtsh.al/


MË SHUME NGA Shqipëri