Pas takimit në Berlin, mbështetja gjermane rikonfirmohet edhe në Prishtinë
Emine Hoti / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja gjermane e mbrojtjes , Christine Lambrecht, pas takimit të tyre në një konferencë të përbashkët për media thanë se kanë diskutuar për vazhdimin e mbështetjes së Kosovës drejtë anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare si dhe për liberalizim të vizave.
I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti tha se ndihma e Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës është e madhe.
“Vizitat e ndërsjella rikonfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona dhe janë mundësi e thellimit të miqësisë. Gjermania jo vetëm që është aleat i joni, por edhe shtëpia e mijëra shqiptarëve”, tha Kurti.
Kurti vlerësoi se Gjermania ka dhënë kontribut të çmuar për çlirimin dhe pavarësimin e shtetit të Kosovës, si dhe siç tha ai, u ka hapur dyert mijëra shqiptarëve.
“Gjermania është edhe shtëpia e më shumë së 400 mijë bashkatdhetarëve tanë. Ky fakt e bën edhe më të afërt lidhjen mes dy popujve dhe vendeve tona”, tha Kurti.
Ai po ashtu bëri të ditur se kanë biseduar edhe për aplikimin në shumë organizata ndërkombëtare dhe për liberalizimin e vizave.
“Me ministren e Mbrojtjes biseduam edhe për mbështetjen që mora nga kancelari Scholz dhe ministrja e Jashtme, Baerbock, për aspiratat tona për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, ku planifikojmë që të aplikojmë së shpejti, si dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës“,tha ai.
Kreu qeveritar ritheksoi se dialogu me Serbinë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke.
“Dialogu duhet të jetë parimor për të sjellë normalizim të marrëdhënieve dhe një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, e që ka njohjen reciproke në qendër”, ka thënë Kurti.
Kurti po ashtu ka thënë se mbrëm në një darkë pune është biseduar edhe për takimin e 13 majit ndërmjet dy kryenegociatorëve, duke shtuar se shpreson që në këtë takim, të arrihet marrëveshja për targat.
“Me shumë përgjegjësi e kemi theksuar për shumë vite se nuk jemi në parim kundër dialogut dhe njëra nga parimet është barazia e palëve. Më 13 maj shpresojmë që të kemi zgjidhje sa i përket marrëveshjes për targat dhe po ashtu edhe të nevojës për të punuar në zbardhjen e çështjes së të zhdukurve”, ka thënë Kurti.
Lambrecht në takimin e 13 majit pret të ketë vendime të mira drejt njohjes reciproke
Në anën tjetër, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, thotë se në takimin e palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, që do të mbahet më 13 maj, do të bëhen hapat e parë me vendime të mira.
”Ne do t’ju qëndrojmë përkrah në rrugën e procesit të anëtarësimit të Kosovës si një vend partner mbështetës, dhe këtu duhet të bëhet e qartë se cilët hapa duhet të ndërmerren në procesin e përafrimit në dialog dhe shpresoj të marrë një dinamikë të re dhe se do të ketë vendime të mira më 13 maj në Bruksel”, tha Christine Lambrecht .
Sipas saj, hapat e parë do të mund të ishin edhe vendimet për njohjen reciproke të dokumenteve.
Duke folur për agresionin rus në Ukrainë, Lambrecht tha se stabilizimi në Ballkanin Perëndimor është shumë i rëndësishëm dhe këtë proces e shoqërojmë si një shoqërues i sinqertë.
“Ne të gjithë po e përjetojmë se sa shpejtë është duke ndodhur lufta në mes të Evropës. Lufta brutale e Putinit në Ukrainë ka treguar se sa shpejtë mund të ndodhë kjo, mirëpo ka treguar edhe se të gjitha ato shtete që përfaqësojnë vlera të njëjta duhet të veprojnë së bashku kundër këtij agresioni”, tha ajo.
Lambrecht e ka falëndëruar Kosovën që është pozicionuar shumë qartë kundër agresionit rus, siç tha ajo, duke e dënuar, duke vendosur sanksione dhe që po lufton për vlera, paqe dhe liri.
Ora 18: 32
Lambrecht në Prishtinë, pritet nga kryeministri Kurti (E plotësuar)
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, mbërriti në Kosovë, në kuadër të vizitës së saj në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ajo në Prishtinë u prit nga kryeministri Albin Kurti. Pritet që bashkë të dalin edhe në një konferencë për media.
Para se të vijë në Prishtinë, ministrja gjermane e Mbrojtjes qëndroi në Beograd, ku u prit në takim nga presidenti Aleksandër Vuçiq.
Atje, ministrja gjermane tha se paqja, liria dhe integriteti territorial janë themeli mbi të cilin vendoset bashkëpunimi në BE.
“Serbia është pozicionuar qartë në raport me këto vlera. Ato janë të rëndësishme derisa anëtarësimi në Union është i rëndësishëm”, citohet të ketë thënë ministrja Lambrecht.
Nga ana e tij, presidenti serb, Vuçiq, citohet ta ketë falënderuar ministren gjermane, për pritjen e një dite më parë në Berlin, pavarësisht se siç tha ai, “si kemi biseduar me Kurtin”.
Ora 15:20
Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Lambrecht, sot në Kosovë
Një delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë, i kryesuar nga ministrja Christine Lambrecht, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.
Ministrja gjermane pasdite do ta takojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, njofton Zyra për Komunikim Publik.
Takimi do të mbahet në objektin e Qeverisë ne ora 16:00























