Rama: Duam të nxisim paqen dhe bashkëpunimin në çdo mënyrë të mundemi
Shqipëri

Rama: Duam të nxisim paqen dhe bashkëpunimin në çdo mënyrë të mundemi

ATSH

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “na duhet të mendojmë për rajonin tonë gjithmonë e më shumë jo si një alternativë ndaj integrimit evropian, por si një punë përplotësuese, si një forcë përplotësuese që na duhet ta ndërtojmë për veten dhe mendoj që të gjithë duhet ta shohin siç e shohim ne”.

Në fjalën e tij në Konferencën e 18-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Nismës Adriatike- Joniane, Rama tha se, “e dimë që sllovenët dhe kroatët janë shumë herë përpara nesh. Historia ka qenë më bujare me ta ndoshta, por sidoqoftë, besoj fort se Ballkani është dhe do jetë gjithmonë e më tepër një vend i mirë, ashtu siç edhe Ballkani do jetë një vend gjithmonë e më i mirë për Greqinë e Italinë. Është një komunitet i mirë këtu në vendet e kësaj nisme”, tha Rama.

“Ne kemi shumë për të mësuar prej jush, por edhe kemi shumë për t’i dhënë kësaj nisme e rajoni dhe jemi tejet të angazhuar për ta bërë këtë gjë. Ne duam të nxisim paqen dhe bashkëpunimin në çdo mënyrë të mundemi, duam të ndërtojmë ura të reja në të gjitha drejtimet që mundemi dhe duam absolutisht të mos e lëmë veten të tundohemi nga fantazmat e së shkuarës dhe të humbasim durimit kur gjërat të mos shkojnë si duhet apo kur disa prej problemeve që ende janë të pazgjidhura mund të ngrenë tensione”, theksoi Rama.

“Nuk ka asnjë të mirë për ne nëse nxisim ndasitë, nëse ushqejmë tensionet apo krijojmë shqetësime, asgjë. Na duhet të punojmë së bashku për tua bërë më të mirë jetën njerëzve tanë, na duhet të punojmë së bashku për ta bërë për fëmijët tanë këtë Ballkan një vend ku thjesht mund të përqafohen dhe të ndjehen mirë me njëri-tjetrin, të ndihen mirë që janë bashkë, fqinjët nuk i zgjedh”, u shpreh Rama.

“Njëherë, gjyshja ime më tha “Komshi i lumtur, shtëpi e lumtur. E kundërta është thjesht një makth”. Kështu që, ne jemi këtu për të qëndruar. Shqipëria nuk do shkojë kurrkund, shqiptarët nuk do shkojnë kurrkund. Natyrisht, mund të vijmë e të ikim në destinacione të ndryshme por këtu është shtëpia jonë. Serbia nuk do shkojë kurrkund, serbët do të jenë aty ashtu si dhe kroatët, ashtu si dhe sllovenët, malazezët, maqedonasit. Të gjithë ne do jemi këtu për të gjithë pjesën tjetër të mbetur të kohës sonë kështu që na duhet ta zgjidhim e së fundmi, na duhet të rritemi e të harrojmë të gjithë rrëmujën që kemi krijuar për njëri-tjetrin e të mos harrojmë se sa shumë kanë përfituar të tjerët në kurrizin tonë, mbi shpatullat tona, në dëm të së ardhmes sonë, për shkak të telasheve që kemi hapur vetë”, shtoi Rama.

“Realitetet e sotme në fakt, shfaqin se çfarë mund të arrihet përmes paqes dhe bashkëpunimit, tregon se sa i madh është ende potenciali dhe tregon se sa e madhe është humbja për të investuar në urrejtje, në ndasi, në shqetësime”, tha Rama.

Natyrisht, vijoi Rama, “rruga është ende e gjatë për ne, por sërish kemi bërë një rrugë të gjatë dhe sot jemi në një vend më të mirë. Krahasuar me ku ishim, jemi në një vend fantastik. Krahasuar me atë ku duhet të jemi, ende nuk jemi në një vend kaq të mirë. Kështu që na duhet të bëhemi bashkë, të punojmë së bashku dhe të mos harrojmë asnjëherë se jemi të bekuar që kemi një fqinj si Italia, që na tregon se nuk ka nevojë që të bëhesh i mërzitshëm, të mërzitesh nga jeta e të jesh tërësisht i mërzitshëm që të jesh një vend i Bashkimit Evropian”.

“Le ta përdorim këtë bekim, le të marrim forca e le të mësojmë çdo ditë nga miqtë tanë, vëllezërit tanë, fqinjët tanë italianë. Ata janë atje për të na treguar që jeta është shumë e bukur edhe duke qenë në Bashkimin Evropian”, theksoi Rama.


MË SHUME NGA Shqipëri