Konjufca pret delegacionin nga Arabia dhe nga Zvicra
Valbona Thaçi/RTKLive
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delegacionin e Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis, pjesëmarrës të Konferencës Ndërkombëtare Arabo-Evropiane, që do të mbahet më 7 dhe 8 maj në Prishtinë, organizuar nga Akademia Diplomatike e MPJ-së dhe Ministra e Mjedisit.
Konjufca vlerësoi marrëdhëniet e mira me shtetet arabe, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim konkret në fusha të ndryshme me interes për Kosovën, siç janë energjia, mjedisi dhe bujqësia.
Delegacioni arab, nga ana e tij, premtoi intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe thellimin e përkrahjes së Kosovës në projekte mjedisore dhe zhvillim të qëndrueshëm, thuhet në njoftim.

Konjufca po ashtu ka zhvilluar një takim edhe me një delegacion të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës.
Kreu i Kuvendit vlerësoi lart marrëdhëniet dypalëshe dhe falënderoi shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
Socialdemokratët dhe deputetët zviceranë, pjesëmarrës në takim me Konjufcën, ofruan mbështetjen e shtetit të tyre për anëtarësimin e Kosovës në EFTA dhe në Këshillin e Evropës.























