Osmani, Kurti e Krasniqi kujtojnë Gjergj Kastriotin - Skenderbeun
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

Osmani, Kurti e Krasniqi kujtojnë Gjergj Kastriotin - Skenderbeun

Valbona Thaçi/RTKLive

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kanë kujtuar heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në ditën e lindjes së tij.

Osmani në ditën e lindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, ka thënë se ai është figura më dinjitoze dhe kyçe e historisë sonë kombëtare dhe lidhja jonë më e fuqishme me botën e qytetëruar evropiane.

Në mesazhin e presidentes Osmani, thuhet se në ditën e lindjes së tij, e kujtojmë kryetrimin që mbetet simbol i bashkimit, krenarisë dhe dinjitetit tonë kombëtar.

“Ai mbrojti Evropën, bashkësinë e popujve në të cilën synojmë të jemi edhe ne. Figura e Skënderbeut do të na shërbejë si frymëzim dhe udhërrëfim drejt cakut tonë”, thuhet në mesazhin e Osmanit.

E kryeministri Kurti ka thënë se Skënderbeu frymëzon veprimtarinë tonë shtetërore e politike.

Ai, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, theksoi se Skënderbeu është ikona e identitetit shqiptar, simbol i denjë i gjallërisë së kombit tonë dhe i dëshirës sonë për liri.

“Skënderbeu është dëshmia jonë historike për tërë botën se liria është vlera më e rëndësishme e njeriut dhe e popullit. Kur liria cenohet, populli hidhet në luftë çlirimtare me gjithçka ka, paçka fuqisë më të madhe të pushtuesit. Këtë e dëshmuan në shek. XX përpjekjet e kombit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar, veçanërisht epopeja e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkroi Kurti.

Për fat të keq, shtoi Kurti, liria e popujve po rrezikohet sërish në dekadën e dytë të shek. XXI, në një kohë kur dukej se aspiratat për paqen dhe begatinë afatgjate të kontinentit po bëheshin realitet.

“Rreziqet ndaj lirisë dhe sovranitetit popullor nuk mungojnë as në rajonin tonë. Prandaj, kujtesa jonë për Skënderbeun, si mbrojtës së lirisë së popullit të tij dhe i Perëndimit në kushtet e shek. XV është aktuale dhe frymëzon veprimtarinë tonë shtetërore e politike”, përfundoi Kurti.

Kurse Memli Krasniqi, kryetari i PDK-së, në shenjë kujtimi për heroin tonë të madh, Gjergj Kastrioti - Skenderbeu, ka thënë se shembulli i Skënderbeut mbetet gjithmonë frymëzim për secilin atdhetar.

“Jetëshkrimi i tij 63 - vjeçarë i Gjergj Kastriotit në trojet shqiptare, është i mbushur me sfida e sakrifica, por, mbi të gjitha, me patriotizëm e atdhedashuri”, ka shkruar mes tjerash, Krasniqi në Facebook.

“Guximin dhe shkathtësitë e tij prej strategu i kishte dëshmuar në shumë beteja, ndërkaq, aftësinë prej burrështetasi, Skënderbeu e dëshmoi në Lidhjen e Lezhës, duke i bërë bashkë të gjithë princat shqiptarë nën një komandë”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së,më tej, shtoi se vepra Skënderbeut mbetet gjithmonë frymëzim për secilin shqiptar.

“Jeta dhe vepra e Skënderbeut ka skalitur dhe mbajtur gjallë në gjenezën e secilit shqiptar guximin për rezistencë, luftën ndaj pushtuesve e dëshirën e flakët për liri. Shembulli i tij mbetet gjithmonë frymëzim për secilin atdhetar”, përfundoi Krasniqi.

Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu ka lindur më 6 maj të vitit 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit. Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë. Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane.


MË SHUME NGA Lajme