Nikolla: Nisma Adriatiko-Joniane, nxitje e bashkëpunimit rajonal
Shqipëri

Nikolla: Nisma Adriatiko-Joniane, nxitje e bashkëpunimit rajonal

ATSH

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla deklaroi sot se, “Nisma Adriatiko-Joniane dhe strategjia e BE-së për rajonin Adriatiko-Jonian, janë dy instrumente themelorë që nxisin bashkëpunimin rajonal dhe promovojnë integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Në fjalën e saj, në konferencën e 18-të të kryetarëve të parlamenteve të Nismës Adriatiko- Joniane, Nikolla u shpreh se, “Shqipëria kryesoi Nismën Adriatiko-Joniane, pas Presidencës së suksesshme të OSBE-së gjatë vitit 2020 dhe e ka shfrytëzuar këtë përvojë si stimul për drejtimin e nismës Adriatiko-Joniane”.

“Shqipëria e kishte Presidencën e Nismës Adriatiko-Joniane në një kohë të vështirë teksa situata ekonomike dhe sociale në rajon është prekur rëndë dhe është sfiduar nga pandemia COVID-19”, tha Nikolla.

“Pikërisht kur filluam të çlirohemi nga pasojat e pandemisë, kontinenti ynë dhe përtej, u kërcënua nga lufta në Ukrainë. Shqipëria i ka mbështetur sanksionet ekonomike dhe diplomatike të ndërmarra nga partnerët tanë strategjikë SHBA, BE dhe aksionin e NATO-s ndaj Rusisë”, tha Nikolla.

“Në rezolutën e datës 7 mars 2022, Kuvendi i Shqipërisë e konsideroi agresionin e rus si një shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe të rendit botëror”, theksoi Nikolla.

“Lufta në Ukrainë rizbuloi rëndësinë e perspektivës evropiane dhe euroatlantike të atyre vendeve të nismës që ende nuk janë anëtarë të familjes evropiane. Nisma Adriatiko-Joniane dhe strategjia e BE-së për rajonin Adriatiko-Jonian, janë dy instrumente themelorë që nxisin bashkëpunimin rajonal dhe promovojnë integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shtoi Nikolla.

“Gjatë Presidencës, Shqipëria mbeti e përkushtuar për konsolidimin e vlerave të përbashkëta, të cilat janë krijuar nga vendet tona gjatë shekujve”, tha Nikolla.

“Vendet e Nismës Adriatiko-Joniane ndodhen në stade të ndryshme të zhvillimit ekonomik, shoqëror, politik, urban dhe teknologjik. 4 nga vendet e Nismës: Italia, Greqia, Sllovenia dhe Kroacia janë anëtare të BE-së. Ndërkohë, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, janë në stacione të ndryshme drejt integrimit në BE. Shpejtësia e ndryshme integruese e këtyre 5 vendeve që aspirojnë të bashkohen me BE-në, është një ndër projektet më të bukura të njerëzimit, por gjithashtu është një zhvillim asimetrik. Gjithsesi, ne duhet ta përdorim si një mundësi për të mësuar nga sukseset dhe gabimet e njëri-tjetrit dhe ta kthejmë në një proces ku fitojnë të gjitha palët”, u shpreh Nikolla.

Nikolla theksoi se, “Nisma Adriatiko-Joniane duhet të jetë një nismë e hapur që ka procesin e zgjerimit apo të plotësimit. Në këtë kontekst mendoj se është koha për të konsideruar dhe për të vendosur për bashkimin e Kosovës në këtë nismë”.


MË SHUME NGA Shqipëri