Drejtoresha rajonale e UNDP-së për Evropën, vizitë dyditore në Shqipëri
Shqipëri

Drejtoresha rajonale e UNDP-së për Evropën, vizitë dyditore në Shqipëri

ATSH

Ka mbërritur në Shqipëri zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe drejtoresha Rajonale e UNDP-së për Evropën dhe Bashkësinë e Shteteve të Pavarura, Mirjana Špoljarić Egger.

Në një njoftim për shtyp, PNYD bën të ditur se, në këtë vizitë dyditore në Shqipëri, Špoljarić Egger do të zhvillojë takime me Kryeministrin Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar, partnerë ndërkombëtarë për zhvillim dhe me Agjenci të Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu, gjatë vizitës së saj, Špoljarić Egger do të shohë nga afër ndikimin për zhvillim të UNDP në Shqipëri. Vizitat e saj do të përfshijnë: Inaugurimi i shkollës 9-vjeçare dhe kopshtit “Gjergj Kastrioti”, Bilaj, Krujë, e rindërtuar nga e para në kontekstin e Programit “BE për Shkollat”, një program i financuar nga BE dhe i zbatuar nga UNDP.

Vizitë në kantierin e punimeve për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe të kopshtit “Iliria” në qytetin e Krujës, të cilat po rindërtohen falë partneritetit ndërmjet UNDP-së dhe Qeverisë Kroate.

Vizitë nga afër në bizneset e vogla që kanë përfituar nga projekti “In Motion”, i cili i vjen në ndihmë biznesit mikro për t’u rikuperuar nga efektet e lëna pas si pasojë e tërmetit të vitit 2019-të dhe pandemia e COVID-19.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta do të jetë vizita e radhës për Špoljarić. Në këtë Park, UNDP zbaton një sërë ndërhyrjesh në kuadër të projektit të mbështetur nga GEF “Mundësimi i qëndrueshmërisë financiare të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri”.

Vizita e fundit e  Špoljarić Egger do të jetë Amfiteatri Antik Romak i Durrësit, ku do të shoqërohet nga një OJF Rinore e quajtur “Udhëtim i Lirë”, e cila është mbështetur përmes Programit Rajonal Reload, të financuar nga BE dhe të zbatuar nga UNDP.


MË SHUME NGA Shqipëri