Banorët e Hades nuk pajtohen vetëm me shpronësimin e tokave (Video)
BKT
Foto: Fshati Hade/Facebook
Lajme

Banorët e Hades nuk pajtohen vetëm me shpronësimin e tokave (Video)

Ahmet Maholli/RTK

Me qëllim të prodhimit të energjisë dhe eksploatimit të qymyrit, Qeveria e Kosovës ka vendosur dje të shpronësojë edhe disa prona të paluajtshme në disa fshatra të komunës së Obiliqit.

Sipas njoftimit për media, pronat që preken nga ky vendim janë në zonat kadastrale të Hades, Shipitullës, Palajt, Leshkoshiqit dhe Sibovcit të Komunës së Obiliqit.

Banorët e Hades nuk po pajtohen me vendimin e qeverisë që të bëhet vetëm shpronësimi i arave,ose tokave të tyre, por edhe i oborreve dhe shtëpive të tyre.

Ata thonë se nuk janë kundër shpronësimit, por nuk pajtohen me vendimin, i cili nuk ua kompenson me çmim të arsyeshëm pronat. Po ashtu, ata kanë edhe një kërkesë e ajo është zhvendosja në Shkabaj.

“Pikat tona janë se ne po kërkojmë shpërngulje me shtëpi e këta po i kërkojnë veç tokat tona, i kanë marrë tokat tona më 2004, 2012, 2010, 2017 tash po e kërkojnë edhe pjesën e fundit që na kanë mbetur këto ara dhe ne faktikisht po mbesim veç me oborre midis minierës. Ata tokën që e paguajnë, është 450 deri 500 euro arin dhe me ato pare ne s’mundemi me ble tokë kurrkund, edhe nëse kërkojnë me ble, ne nuk mundemi me shkuar në Milloshevë me punuar tokën prej Hades duke e pasur tokën tonë këtu afër”, ka thënë Valton Preniqi banor.

Poashtu edhe Skender Preniqi, banor i Hades tha se kërkesa jonë është se ato që na kanë premtuar, janë zhvendosja e fshatit Hade, caktimi i trojeve në Shkabaj, punësimi për anëtarët e familjes, ngritja e çmimit të tokës, sepse një ari tokë ta paguajnë 500 është prej vitit 2004. Nuk pajtohemi ta japim tokën nëse nuk na plotësojnë këto kushte.

“Pa na i punësuar fëmijët, nuk pranojmë kurrsesi, edhe 5 mijë euro arin le ta paguajnë, shteti mundet me bo gjithçka, por me dëshirë jo”, ka thënë Xhavit Preniqi banor.

Banorët gjithashtu ankohen se në këtë fshat nuk ka pasur investime fare as në infrastrukturën rrugore, as në kanalizim, ndërsa edhe shkolla është mbyllur, dhe për pasojë jeta është bërë e vështirë.

“Këta veç tokat po këqyrin me na i marrë, oborret hiç se hiç një herë neve na lanë veç me një oborr edhe ditën e mirë,ai rri në shehër, merrem me bletë me pula, duke hjek gjithmonë”, ka thënë Agim Preniqi, banor.

Nga ana tjetër, përkundër insistimit të RTK-së në lidhje me vendimin për shpronësim të tokave, si dhe shqetësimet e banorëve, askush nga qeveria nuk kanë qenë të gatshëm të deklarohen për të
dhënë sqarime.

Hera e fundit kur janë shpronësuar një pjesë e Shipitullës në vitin 2018 ajo ka kushtuar rreth 30 milionë euro. Ende nuk dihet se sa do të kushtojnë shpronësimet e reja në këtë zonë.

 


MË SHUME NGA Lajme