RTK pranohet në festivalin "Prix Italia"
VAlbona Thaçi/RTKLive
Këtë e ka konfirmuar Bekim Hasani, president i Unionit të Radio Televizioneve Internacionale, i cili ka falënderuar kolegët nga vende të ndryshme të botës që mbështetën anëtarësimin e RTK-së në këtë Festival. "Prix Italia" është një Festival prestigjioz ndërkombëtar që organizohet nga transmetuesi publik i Italisë, RAI, që prej vitit 1948.
“Duke qenë tashmë anëtare e saj me të drejta të plota, RTK-ja do të mund të marrë pjesë në Festivalin e 74-t që zhvillohet nga 3-7 tetor 2022 në Bari të Italisë”, ka bërë të ditur Hasani.
Hasani ka bërë të ditur se RTK do të mund të garojë me nga tri programe në tri kategori të ndryshme për Televizion, Radio dhe Web, dhe se Asambleja e Përgjithshme e "Prix Italia" këto ditë do t'ia dërgojë RTK-së edhe vendimin zyrtar të anëtarësimit.
“Të nominuarit nga RTK-ja do të emërohen në juritë përkatëse që do të përzgjedhin fituesit e çmimeve të Festivalit. Po ashtu, përfaqësuesit e RTK-së do të mund të marrin pjesë në forumet e diskutimeve për sfidat dhe të ardhmen e transmetuesve publik, që do të zhvillohen në kuadër të këtij Festivali”, ka shtuar ai.
Hasani inkurajon gazetarët, regjisorët dhe producentët e RTK-së të angazhohen për ta përfaqësuar sa më denjësisht transmetuesin publik të Kosovës.
“Si President i Unionit të Radio Televizioneve Internacionale (URTI), falënderoj kolegët nga vende të ndryshme të botës që mbështetën anëtarësimin e RTK-së në këtë Festiva’, ka thënë Hasani.
Ai ka treguar se duke qenë anëtare e saj prej vitit 2010, URTI i ka mundësuar RTK-së pjesëmarrje edhe në Festivalet që i organizon vet çdo vit, por edhe në Festivalin e Filmit dhe Televizionit që organizohet në Monte Carlo.
























