Prokuroria jep detaje për vrasjen në Gushtericë të Graçanicës
F.S / RTKlive.com
Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media tregon se dje është njoftuar nga policia për të shtëna me armë zjarri në fshatin Gushtericë të Graçanicës, ku në vendin e ngjarjes ekipi mjekësor ka konstatuar se një person ka mbetur pa shenja jete, si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri.
Po sipas këtij njoftimi thuhet se prokurorja kujdestare ka dal në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të saj është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personi me inicialet M.Sh., (zyrtar policor), në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, pasi dyshohet se i njëjti ka privuar nga jeta tani të ndjerin D.Sh., (vëllain e tij), ndërsa trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me policinë dhe IPK-në, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të ndriçimit të gjitha rrethanave në këtë çështje penale. Po ashtu, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, ndaj të dyshuarit do të ushtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale, në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.























