Meta me rastin e Ditës së Evropës: Qëndrojmë përkrah Ukrainës
Naser Mekolli /RTKlive.com
Dita e Evropës, një festim vjetor i paqes dhe bashkimit në Evropë, këtë vit po shënohet në kohën kur Rusia ka hyrë në muajin e tretë të agresionit të saj ushtarak në Ukrainë.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se Dita e Evropës ka një rëndësi të madhe dhe shprehu përkrahjen ndaj Ukrainës.
Presidenti, përmes një postimi në Facebook, e ka vënë theksin te përpjekjet për të nisur procesin e negociatave që do ta shoqërojë Shqipërinë drejtë integrimeve në familjen evropiane.
“Sot, në Ditën e Europës, jemi edhe më shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e projektit më të madh politik të paqes dhe përbashkimit rreth vlerave që garantojnë bashkëjetesën mes kombeve në kontinentin tonë.
Qëndrojmë përkrah Ukrainës me shpresën e rikthimit sa më parë të paqes në Europë, dhe të bëjmë çdo përpjekje për të nisur procesin e negociatave që do ta shoqërojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në familjen së saj të natyrshme europiane!”, ka shkruar presidenti Meta.
Dita e Evropës që shënohet çdo vit më 9 maj, kremton paqen dhe unitetin në Evropë.
9 Maji shënon përvjetorin e deklaratës historike të Schumanit. Në një fjalim në Paris, në vitin 1950, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, ka shpalosur idenë për një formë të re të bashkëpunimit politik në Evropë. Propozimi i tij konsiderohet të jetë fillimi i asaj që tani është Bashkimi Evropian.