Kosova dhe e ardhmja e saj evropiane
BKT
Lajme

Kosova dhe e ardhmja e saj evropiane

Muharrem Miftari/RTKLive.com

Vendi ynë është i gatshëm për të fituar liberalizimin e vizave, për çka besoj e shpresoj, meqë është proces i stërzgjatur, se me mbështetjen e vendeve mike të BE-së do t’i bashkohemi shtëpisë së BE-së.

Kështu u shpreh në “Imazh i Ditës”, në RTK, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, deputete nga radhët e LVV-së, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës.

Ajo, duke iu shmangur datave fikse se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave, përmendi angazhimin e OJQ-ve, të cilat kanë dërguar letër presidentit të sapozgjedhur Emmanuel Macron,  për të ndikuar në lehtësimin e liberalizimin e vizave, që, sipas saj, është ndihmesë e madhe, e cila dëshmon përkushtimin e shoqërisë sonë se jo vetëm politika, por e gjithë shoqëria është e përkushtuar për të arritur liberalizimin e vizave.

“OJQ-të janë përpjekje shtesë që, si shoqëri, tregojnë gatishmërinë për arritjen e liberalizimit të  vizave, dhe besoj se kjo do të realizohet”, theksoi, mes tjerash, ajo.

Tutje, ajo përmendi edhe mbështetjen e liderëve evropianë në arritjen e synimeve tona si shtet e si shoqëri.

“Ata na vlerësojnë në arritjet tona në luftën kundër korrupsionit dhe në sundimin e ligjit”, shtoi deputetja Kryeziu Hyseni.

Anëtarësimi në KE

Deputetja Kryeziu Hyseni foli edhe për çështjen e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, për procedurat që duhet zbatuar për anëtarësim.

Ajo, lidhur me këtë çështje, falënderoi kancelarin gjerman Olaf Sholz, i cili edhe në këtë aspekt po mbështetë Kosovën në anëtarësimin e saj në KE, që, ndonëse kemi pengesa, rruga e anëtarësimit në këtë institucion nuk është e largët.

Dialogu

Deputetja Kryeziu Hyseni foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, që, sipas saj, pas darkës së Berlinit, ku janë takuar dy liderët shtetërorë, tani është radha e takimeve në nivel të kryenegociatorëve.

“Takimi I radhës do të jetë në nivel të kryenegociatorëve të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi deputetja Kryeziu Hyseni.

Ajo më tej theksoi se pala serbe vazhdon të jetë dekonstruktive në dialog, përkundër palës kosovare që vazhdimisht ka qenë konstruktive.

Ndërkaq, lidhur me përfundimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, deputetja Kryeziu Hyseni shfaqi shpresën se me angazhimin e Gjermanisë dhe tani të Francës, do të mund të kemi një proces në binarë të mbarë, përkundër obstruksioneve të palës serbe, e cila është treguar joproduktive ndaj procesit edhe në luftën ndaj Ukrainës, duke mbajtur anën e palës ruse.


MË SHUME NGA Lajme