Hadri në Speciale e përshkruan ndihmën e UÇK-së ndaj civilëve
BKT
Lajme

Hadri në Speciale e përshkruan ndihmën e UÇK-së ndaj civilëve

Valbona Thaçi/RTKLive

Dëshmitarja Teuta Hadri, e thirrur nga mbrojtja e të akuzuarit Salih Mustafa, në procesin gjyqësor që po mbahet në Dhomat e Specializuara në Hagë, përfundoi me dhënien e  dëshmisë.

Para trupit gjykues, ajo sot iu përgjigj pyetjeve të prokurorit. Ndër të tjera, tha se 19 ose 20 maji 1999,  ka qenë hera e fundit kur  ka qëndruar në fshatin Zllash të Prishtinës.

Në seancën e së enjtes, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, dëshmitarja e 14-të, Teuta Hadri, u pyet rreth  atyre zhvillimeve për të cilat Hadri dëshmoi edhe të mërkurën, kur u pyet nga  avokati mbrojtës, Betim Shala.

Gjatë seancës, mbrojtësja e viktimave vazhdimisht kërkonte që dëshmitarja Hadri të përshkruante në detaje gjithçka çka kishte në ambientin e shtëpive në Zllash.

Mbrojtësja tha se në një pjesë të ditarit, Hadri e përshkruan me hollësi se çka kishte në dhomat e kësaj ndërtese.

“Në faqen 253 që shihet në ekran, flisni më me hollësi për dhomën që shkruani këtu në ditar. Aty shkruani se  përballë divanit ku isha ulur unë, ishte një dollap me lloj armës, karikatorë me fishekë, tre plumba të gjatë ishin vendosur, ishte një tavolinë me telefon satelitor dhe kompjuter. Për cilat dhomat bëhet fjalë sepse më duket e njëjta dhomë që përshkruanit në ditar më parë”, ka  pyetur ajo dëshmitarin Hadri.

Dëshmitarja Hadri,  derisa shpjegonte këto gjëra ju tha se po me duket pak qesharake kjo që po kërkoni sepse dje i ka thënë të gjitha këto.

“Tash e 20 vjet më parë, e kam shkruar këtë, e nuk e kam parë të arsyeshme që në detaje të shkruaj, të vij këtu e të vij atje. Disi  qesharake, sepse nuk e kam menduar”, tha Hadri.

Tutje me tri pyetje ka vazhduar avokati Shala, i cili e ka pyetur nëse u ka ofruar ndihmë, Sokol Sopit dhe Afrim Vitisë dhe se sa plagë kishin në trup.

Hadri tregoi se Sokol Sopi ka pasur shtatë apo tetë plagë dhe ka qenë në gjendje shumë të rëndë.

“Sokol Sopi është bartë që të mos bie në dorën e serbeve duke i dërguar në zona më lira dhe për fat të keq, ka rënë në pritë të forcave armike ku i kanë masakruar”.

Në vazhdim Hadri është pyetur nga trupi gjykues se si ishin ato shtëpitë ku qëndronin, dhe se shtab i kujt ishin ato objekte. Ajo u përgjigj se ashtu u thoshin atyre objekteve  “shtab”.

Gjykatësi  pyeti dëshmitaren për disa detaje rreth dëshmisë së saj. Një prej tyre ishte edhe nëse  është kthyer prapë ne Zllash pas 19 prillit 1999.

“Jemi kthyer për shkak se forcat serbe na ndiqnin ne çdo hap dhe nuk na lanë vend të zbresim ku na dërguan, ne Keqekollë apo Llap, dhe prapë këta ushtarët, që unë u them trima edhe këtu para trupit gjykues, na shpëtuan”, tha Hadri.

“Tetë të plagosur i kishim me vete, një numër i ushtarëve na kanë kthyer në zonë se Zllashi ishte i djegur, krejt shkrumb kur jemi kthyer dhe kemi fjetur nëpër trungjet e drunjve.  Dy orë kemi ndenjur se përsëri forcat serbe na kanë sulmuar, përsëri ne duhej të tërhiqeshim prej Zllashit”.

Hadri tha se serbet e kishin arritur qëllimin e tyre dhe e kishin djegur fshatin Zllashë. 


MË SHUME NGA Lajme