‘Dardanët’ në qershor nisin sfidat e `nxehta` në Ligën e Kombeve
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Sërish vjen Liga e Kombeve. Sërish ‘Dardanët’ në aksion. Fillimi i muajit qershor do të rikthejë emocionet që prodhon kjo ligës joshëse në Evropë.
Kombëtarja e Kosovës aventurën e radhës në Ligen e Kombeve e nis Grupin C, ku me 2 qershor luan ndeshjen e parë në udhëtim tek Qipro.
Muaji qershor do të jetë i ngjeshur për Dardanët, ngase do t’i luajnë edhe tri ndeshje tjera. Më 5 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta presin Greqinë, kurse më 9 qershor do të luajnë kundër Irlandës së Veriut.
Ndeshjet e këtij muaji Kosova i mbyll si mysafire në duel me Greqinë, më 12 qershor. Ndërkaq, në vjeshtë Kosova fillimisht luan si mysafire e Irlandës së Veriut, më 24 shtator, derisa tri ditë më vonë në shtëpi e pret Qipron.
Tovërlani: Selektori i ri ka sjellë frymë të re
Trajneri i njohur i futbollit tonë, Afrim Tovërlani në një prononcim për RTKLive.com, shpreson se Kombëtarja e jonë, do të arrijë rezultate pozitive në sfidat e ‘nxehta’ të qershorit. Ai mendon se trajneri i Kosovës, Giresse ka sjellë një frymë të re tek ‘Dardanët’.
“Pas dy ndeshjeve miqësore, Kombëtaren e shoh të barabartë dhe në kërkim të fitoreve. Selektori ri ka sjellë një frymë të re dhe serioziteti është ngritur. Të shpresojmë të mos kemi mungesa dhe të jemi komplet”, tha ish-trajneri i disa skuadrave elitare në vendin tonë.
Lushtaku: E mundim Qipron dhe Greqinë
Optimist për rezultate pozitive të Kombëtares sonë në ndeshjet e qershorit në Ligën e Kombeve, është shprehur edhe trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku.
I pari i bankinës së kuqezinjve nga Skenderaj për RTKlive, tha se grupi ku bën pjesë Kosova nuk është i vështirë, dhe sipas tij, nuk është grup i pakalueshëm.
“Po besoj dhe shpresojë që ka më pas rezultate pozitive duke marrë parasysh që nuk është se ka shumë kundërshtarë në një formë të lartë siç ka qenë Greqia dikur. Qipro thuajse është e njëjtit nivel me ne. Irlanda mund të jetë në një nivel pak më të lartë, por nëse i analizojmë ndeshjet e fundit miqësore të Kosovës, e nëse nuk do të ketë lëndime dhe të jemi të kompletuar, si dhe ardhja e trajnerit Giresse, atëherë besoj se mund të arrijmë fitore ndaj Qipros dhe Greqisë, kurse kundër Irlandës do të jetë ndeshje më tri rezultate”, theksoi Lushtaku.
Kujtojmë se fituesi i Grupit C2 do të promovohet në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.























