Vuçiq thotë se Prishtina ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit
BKT
Lajme

Vuçiq thotë se Prishtina ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit

Anamari Repiç/RTK/Beograd

Pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka reaguar Beogradi. Sipas presidentit serb, Prishtina zyrtare ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit, dhe se Serbia do të jep përgjigjen e vet.

Me kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës eshte prishur Marrëveshja e Uashingtonit dhe Serbia do të reagojë, ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas aplikimit të Kosovës në KE.

Për këtë veprim të Prishtinës zyrtare, Vuçiq ka paralajmëruar se nesër do të diskutohet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dhe ka pyetur përqafësuesit ndërkombtarë pse po e thërrasin Beogradin në bisedime, kur Kosova nuk respekton marrëveshjet e arritura.

“Ata e shkelën marrëveshjen brutalisht, nuk shqetësohen për asgjë, pas 10 vitesh shkeljes se marrëveshjes së Brukselit, tani kanë shkelur marrëveshjen e Uashingtonit, ndërsa Rezoluta 1244 nuk është respektuar kurrë”, ka thënë Vuçiq.

Sipas presidentit serb, kjo do të këtë një efekt shtesë në marrëdhëniet në rajon, ndërsa ka bërë pyetje “kush e ka bindur Prishtinën që ta paraqesë këtë kerkesë”. Vuçiq ka shtuar se nuk  pres ndonjë reagim nga Perëndimi lidhur me iniciativën e Kosovës.

“Mentorët e Prishtinës janë shumë më të fortë, kjo lojë udhëhiqet nga vendet kryesore perëndimore. Ne jemi një vend i vogël dhe i lirë dhe do të përpiqemi ta kundërshtojmë atë në mënyrë paqësore dhe diplomatike”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha gjithashtu se nuk e di nëse Kosova ka shumicën për pranimin në KE, mirëpo sipas tij mund të priten dy të tretat e votave nëse votojnë ato vende që e kanë njohur Kosovën. Sipas tij, ky është presion mbi pesë vende të BE-së të cilat nuk e njohin pavarësinë dhe thirrje për Serbinë që të bëjë të njëjtën gjë.

Nga disa reagime të tjera, vlerësohet se Serbia nuk ka mundur të bëjë asgjë për të lobuar kundër aplikimit të Kosovës në KE, sepse shtetet perëndimore kanë përkrahur Kosoven lidhur me këtë iniciativë, dhe se nuk ka shumë hapësirë për Serbinë.

Në të njëjtin kohë, disa analistë në Beograd vlerësojnë se sipas procedurës në Këshillin e Evropës pranohen vetëm shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe mbetet të shihet si do të ndodh me Kosovën.

 


MË SHUME NGA Lajme