Hysni Gucati viziton babanë në spital, të dielën kthehet në Hagë (Video)
Jeton Musliu / RTKlive
Papritur, Hysni Gucati ndodhet në Kosovë. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UCK-së, i cili aktualisht ndodhet si akuzuar në Gjykatën Speciale në Hagë, ka mbërritur në Mitrovicë.
Nën masa të rrepta të sigurisë dhe pa ndonjë njoftim, Gucati është dërguar në spitalin rajonal të Mitrovicës.
Burime të RTKlive kanë treguar se kjo vizitë ndodh për shkak se ka disa ditë që aty është i shtrirë duke u mjekuar, babai i tij, Avdullah Gucati.
Njoftimin se babi i Gucatit është i sëmurë e dha ditë më parë në llogarinë e tij në Facebook, edhe djali i tij, Musli Gucati.
“Çdo sfidë në jetë i ke bërë ballë gjysh, do e kalosh edhe këtë”, ka shkruar Musli Gucati, me 7 maj.

Burime të RTKlive tregojnë se për ta takuar Gucatin, janë lejuar vetëm rrethi shumë i ngushtë familjar.
Gjithashtu, atyre u janë marrë telefonat nga pjesëtarët e sigurimit të Gjykatës, të cilët Gucatin e shoqërojnë vazhdimisht.
Të njëjta burime tregojnë se sonte, Hysni Gucati do të qëndrojë në Kosovë, kurse nesër do të bëjë edhe një vizitë në spital për të parë babanë e tij, para se të kthehet pasdite drejt Hagës.
Hysni Gucati bashkë me Nasim Haradinajn, akuzohen nga Specialja për publikim të dosjeve të cilat vetë prokurorisë i kishin rrjedhur në publik.
Në vjeshtën e vitit 2020, tri herë një person misterioz kishte sjellë në selinë e OVL të UCK-së, dokumente ku dëshmohej se aktakuzat ndaj ish krerëve të UCK-së, ishin të bazuara në dosjen e Prokurorisë së Serbisë.
Gucati e Haradinaj kishin mbajtur konferenca për media ku ato materiale i kishin vendosur në dispozicion të medieve.
Bazuar në Kodin penal të Speciales, çdo publikim i materialeve nga persona të paautorizuar, përbën vepër penale e cila është e dënueshme nga 1 deri në 10 vjet.
























