Analistët për RTK: Serbia qëllimshëm zvarrit dialogun për përfitimet e veta
Lajme

Analistët për RTK: Serbia qëllimshëm zvarrit dialogun për përfitimet e veta

Fadil Sertolli/Rtklive

Analistët politikë vlerësojnë se takimet ndërmjet palës serbe dhe asaj kosovare po shkojnë në favor të palës serbe, pasi, siç vlerësojnë ata, pala serbe kërkon zvarritjen e dialogut dhe për rezultat presin asgjënë.

Madje, sipas tyre, tashmë ka kaluar koha e takimeve teknike dhe se është koha e fundit që pala kosovare ta ngrit zërin përmes aleatëve të saj kryesor, që ky dialog të përmbyllet sa më parë.

Analisti politik, Ismail Tasholli thotë se ju ka kaluar koha takimeve teknike, sidomos siç thotë ai, kur nga pala serbe këto takime kanë për opsion e qëllim zvarritjen dhe rezultat asgjënë.

"Koha është shumë e rëndësishme në politikë dhe mendoj që janë momentet e fundit që të ngritët zëri i palës kosovare nëpërmjet aleateve të saj kryesor e të kërkohet që të mbyllet ky dialog me njohjen e shtetit tonë nga Serbia si epilog", ka thënë analisti Tasholli për Rtklive.

Në anën tjetër për analistin politik, Ardian Çollaku edhe ky takim i së premtes është në vazhdën e takimeve që thjesht nuk pritet shumë prej tij.

"Nuk pres shumë nga ky takim, për çështjen e ndonjë marrëveshje, megjithatë do të varet shumë nga ajo nëse do të ndërhyjë SHBA", tha Çollaku për Rtklive.

Sipas tij, dialogu duhet të fokusohet te marrëveshja përfundimtare.

"Mendoj që dialogu duhet ta ketë fokusin tek marrëveshja përfundimtare që do të rezultonte me njohjen e Kosovës dhe me anëtarësim në OKB", ka thënë Çollaku.

Kurse analisti tjetër politik, Dorajet Imeri thotë se ka indikacione që mund të ketë marrëveshje për këto dy tema të cilat do të diskutohen të premtën.

Imeri tha se këto mund të arrihen për faktin se ka edhe një trysni të rikonfirmuar se palët duhet të bëjnë hapa konkret në lidhje arritjen e marrëveshjes finale.

" Me gjasë ka një trysni të konfirmuar në të dyja palët që të ketë marrëveshje, kurse ky moment do të përdoret për të treguar se bisedimet janë e vetmja forme e zgjidhjes së problemeve", tha Imeri për Rtklive.

Ai tha se Serbia mund ta përdorë dialogun që Kosova mos të aplikojë në Këshillin e Evropës

"Ka diçka që Serbia do të mund të përdorë, do të bëjë presion mbi Kosovën që të mos aplikojë për pranim në Këshillin e Evropës, ndonëse Kosova tashmë ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës", tha Imeri.

Ndryshe të premtën shefi i ekipit negociator të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, do të takohet në Bruksel me kreun e ekipit negociator të palës serbe, Petar Petkoviq, me të cilin do të diskutojnë për çështjen e targave, energjisë dhe personave të pagjetur.