Osmani, kryeministres lituaneze: Kyçe mbështetja juaj për anëtarësim në KE
BKT
Foto: Zyra e Presidentes
Lajme

Osmani, kryeministres lituaneze: Kyçe mbështetja juaj për anëtarësim në KE

Kimete Kasumi/RTKlive

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Lituani, sot është pritur në takim nga kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonytė. Ato i kanë vlerësuar lart marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kanë konfirmuar angazhimin për thellimin e tyre, posaçërisht në fushën e sigurisë, të mbrojtjes, të ekonomisë, të teknologjisë informative dhe në fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Osmani ka theksuar se forcimi i bashkëpunimit me aleatët mbetet prioritet kyç i politikës së jashtme të Kosovës.

“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Lituanisë ndër vite, ndërkaq tani është kyçe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në aspiratat tona drejt integrimit në BE dhe në NATO. Në një kohë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, me kryeministren u pajtuam që ta shtojmë bashkëpunimin e ndërsjellë në politikën e jashtme dhe të sigurisë”, ka thënë Osmani.

Temë e takimit ishte edhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, për të cilin presidentja Osmani ka shprehur mbështetjen e Kosovës për popullin ukrainas.

“Pozicioni i Kosovës për Ukrainën  është plotësisht në përputhje me ShBA-në, BE-në dhe të gjitha vendet demokratike. Kosova ka miratuar sanksionet kundër Rusisë dhe është duke ofruar gjithë mbështetjen e mundshme për popullin e Ukrainës”, ka theksuar presidentja Osmani.

Ajo ka përmendur tendencat e Rusisë që nëpërmjet satelitit të saj, Serbisë, ta destabilizojë Ballkanin.

“Presidentja Osmani ka kërkuar nga kryeministrja Šimonytė mbështetje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, në veçanti në Këshillin e Evropës, po ashtu mbështetje në bindjen e shteteve skeptike për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjë që vazhdimisht është përkrahur nga Lituania”, thuhet në njoftimin për medie nga zyra e presidentes.

 


MË SHUME NGA Lajme