Kurti në ShBA, takime me guvernatoren dhe sekretarin në Iowa
Foto: Zyra e Kryeministrit
Lajme

Kurti në ShBA, takime me guvernatoren dhe sekretarin në Iowa

Kimete Kasumi/ RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga guvernatorja e Iowas, Kim Rejnolds. Gjithashtu, ai është pritur në takim edhe nga sekretari i Bujqësisë i Iowas, Mike Naig.

Kurti u prit në takim nga guvernatorja e Iowas, Kim Rejnolds

Partneriteti i fortë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowas, së këndejmi potenciali për rritje të bashkëpunimit, ishin në qendër të takimit ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me guvernatoren e Iowas, Kim Rejnolds.

Kurti shprehu mirënjohjen për marrëdhënien speciale në mes të Kosovës dhe Iowas si dhe për kontributin për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të lirë dhe të orientuar drejt vlerave perëndimore.

Kurti dhe Rejnolds biseduan për krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, për rritjen e investimeve, për ngritjen e kapaciteteve njerëzore, për shfrytëzimin e potencialit natyror si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve. U tha se shembulli i bashkëpunimit ushtarak duhet të vazhdohet në fushën civile, duke fuqizuar partneritetin edhe në ekonomi, bujqësi dhe arsim. Në takimin e tyre u veçua fillimi i shërbimeve konsullore në këtë shtet, në veçanti u vlerësua partneriteti në mes të Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, më tutje qëllimi afatgjatë për zhvillimin dhe ngritjen e mëtejme të saj dhe përafrimin e kushteve për anëtarësim në NATO.

“Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe se do te vazhdojë të jetë kontribuuese për sigurinë në rajon dhe botë, në mbrojtje të paqes dhe vlerave demokratike, përkrah aleatëve, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian” ka theksuar kryeministri Kurti.

Në këtë takim morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, koloneli Ejup Maqedonci, dhe shefi i Misionit në Konsullatën në Iowa, Artan Duraku, thuhet në njoftimin për medie të zyrës së kryeministrit.

Kryeministri Kurti takoi sekretarin e Bujqësisë të Iowas, Mike Naig

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim nga sekretari i Bujqësisë i shtetit të Iowas, Mike Naig.

Duke vlerësuar partneritetin strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat, kryeministri Kurti shprehu përkushtimin për ta forcuar këtë partneritet në fushat zhvillimore e sidomos në bujqësi. Gjatë takimit ai e informoi sekretarin Naig për mundësitë e shumta që ofron Kosova për investitorët në fushën e bujqësisë. Po ashtu, ai theksoi angazhimin e qeverisë për avancimin e sektorit të bujqësisë gjatë këtij viti të qeverisjes. Në këtë drejtim, ai tregoi se qeveria ka rritur subvencionet për këtë sektor deri në 216 %. Kryeministri tha se bujqësia zë vend të rëndësishëm në programin qeverisës dhe prezantoi reformat për bujqësi, që kanë për qëllim ngritjen e prodhimit, cilësisë dhe sigurisë së ushqimit, si dhe ringjalljen e fshatit.

Duke biseduar për potencialin që ka Kosova për zhvillimin e bujqësisë dhe mundësitë që i ofron ky sektor për investime, u potencuan edhe mundësitë për shkëmbim të përvojave dhe ekspertizës në këtë fushë.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa