Peci vizitoi prodhuesit bujqësor të Komunës së Prishtinës
Foto: Ministra e Bujqësisë
Lajme

Peci vizitoi prodhuesit bujqësor të Komunës së Prishtinës

F.Sertolli / RTKlive.com

Fermerët e Komunës së Prishtinës të premtën i ka vizituar Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ku është njohur nga afër me ecurinë e aktivitetit bujqësor të këtyre prodhuesve.

Përmes një njoftimi për media nga Ministria e Bujqësisë thuhet se gjatë kësaj vizite, Ministri ka qëndruar tek fermerët e fshatrave Ballaban, Grashticë e Keqekollë, ku me këtë rast ka monitoruar edhe ecurinë e veprimtarisë së agrobiznesit “Era sh.p.k”, agro-biznes ky i cili ka për veprimtari kultivimin, grumbullimin dhe përpunimin e bimëve mjekësore dhe frutave të malit.

“Gjatë këtyre vizitave u njoha me kapacitetin që kanë këta fermerë për kultivimin, grumbullimin dhe përpunimin e bimëve mjekësore dhe frutave të malit e të cilët do ta kenë mbështetjen e Ministrisë për të zgjeruar dhe fuqizuar këto veprimtari bujqësore. Po ashtu, tek ky fermer pashë pasion dhe vullnet të pashoq për këtë veprimtari dhe i premtova se politikat tona do të jenë gjithmonë në dispozicion të bujqve punëtorë”, theksoi Ministri Peci, thuhet në njoftim.

Ndryshe, produktet e këtij agrobiznesi janë të certifikuara si organike përmes organeve të ndryshme certifikuese. Ky agrobiznes angazhon rreth 250 fermerë e banorë të zonës, të cilët bëjnë mbledhjen e produktit fillestar, si dhe ka një potencial të tharjes rreth 8 tonë për 24 orë, ndërsa kapacitetet e paketimit janë rreth 3000 paketime brenda një ndërrimi.